Begsat, historia e harruar e adoleshentëve me uniformë
AFRIM IMAJ
Nuk ka më skënderbegas. Imazhi i adoleshentëve me uniformë, i përket të kaluarës. Streha e tyre në periferi të Tiranës, ka marrë tjetër destinacion. E djeshmja e shkollës 50 vjeçare, është koleksionuar në materie historike. Jetojnë beksit e dikurshëm, ata që i falën çiltërinë dhe pasionin e moshës, ëndrrat dhe vrullin e rinisë shkollës së tyre të dashur. Si çdo fund marsi, do të mblidhen ata për të festuar 65 vjetorin e krijimit të saj. Do tu rikthehen kujtimeve, mbresave e përjetimeve nga ditët dhe netët e stërvitjeve në auditorët e blertë. Do nderojnë në krye të herës komanduesit e kolegët që nuk jetojnë. Do bëjnë fotografi e do lënë takimin e radhës.Ndryshe nga më parë, këtë herë, do të marrin në dorë historikun e shkollës. Ka menduar për këtë surprizë Bajram Nurçja, njëri nga ish punonjësit e saj. Ka qenë krejt i rastit kontakti i tij në ditët e tjetërsimit të shkollës me kopjen e vetme të historikut. I është dashur ta ruaj për vite me radhë deri sa siguroi të ardhurat për ta ribotuar, që tua rikthente skënderbegasve dhe miqve të tyre. Në një rrëfim për "Panorama", Nurçe shpjegon rrethanat si u bë pjesë e kësaj historie dhe risjell momentet më të rëndësishme nga biografia 50-vjeçare e shkollës së skënderbegasve...
Historia e historikut
Urdhri për të mbyllur shkollën mbërriti kur përgatitej festa e 50-vjetorit të saj. Nuk do të funksiononte më vatra që diplomoi breza të tërë oficerësh. Padyshim që një vendim zyrtar mund të mbyll një institucion për shumë arsye, po nuk mund të "mbyll" memorien, historikun dhe lavdinë e saj. Ndodhi që në një kohë të shkurtër u denatyrua postblloku, klasat, korpusi i fjetoreve, spitali, kompleksi sportiv, por nuk e ndoqi i njëjti fat historikun e saj. Më shumë se në muze, (i cili u shkatërrua i pari) shkolla e la jetëshkrimin e saj në kujtimet e bijve të vet të cilët bënë pjesën më të qenësishme të historisë së ushtrisë shqiptare për gjysmë shekulli. Pikërisht në këto zhvillime të vrullshme që tjetërsuan shtëpinë e beksave, u mundova të shtie në dorë historikun e shkollës për ta siguruar si diçka të shenjtë. Për shumë vite e ruajta si sytë e ballit në shtëpi duke e shfletuar e rishfletuar herë pas here. Mendova se u duhej dhe të tjerëve dhe bëra ribotimin e tij me lekët e mbledhura pak nga pak nga të ardhurat e pensionit. Tashmë mund të them se ndihem i qetë. Pavarësisht historisë së historikut, lënda e tij në një farë mënyre është një takimin me djemtë e njom nga shtati që u stërvitën dhe burrëruan te ky prag, te kjo shkollë me emrin “Skënderbej”...
Faqja e parë
Faqja e parë e historikut të shkollës të risjell në kujtesë vitet e para të pasçlirimit. Pikërisht atëherë kur u dëgjua për herë të parë në Tiranë fjala Skënderbegas. Në fakt për krijimin e saj shtatmadhorët e kohës kishin menduar që në vitet e luftës. Qysh në tetor të vitit 1944 u krijuan kurset e para për përgatitjen e oficerëve. Përvoja disamujore e tyre tregoi se çështja e aftësimit të kuadrove ushtarake duhej institucionalizuar me programe e personel të kualifikuar. Ishte momenti kur lindi nevoja e krijimit të një shkolle të mirëfilltë ushtarake. Kontigjentët e parë të saj u bënë pionierët e reparteve partizane. Kështu në fillim të marsit 1945, u rreshtuan në shkollën ku kryhej kursi i perfeksionimit të oficerëve 200 nga ish partizanët e vegjël. Ndër ta dhe pesë vajza, Veronika Murzaku, Katerina Prifti, Xhevrie Golemi dhe Bukurie Malo, të cilat në historinë 50 vjeçare të shkollës do të mbeteshin të vetmet. U deshëm vetëm pak ditë që shkolla të merrte fizionomi të plotë. Në 28 mars 1945 u bë inaugurimi i saj...
Kuadrot e parë
Në 50-vite histori shkolla e skënderbegasve ka ndërruar me dhjetëra komandues e titullar, por emri i komandantit të parë mbetet simbolik. Thoma Frashëri erdhi në këtë detyrë pas një përvoje drejtuese në repartet partizane. I njohur me vartësit e tij në betejat e luftës, ju përkushtua detyrës jo thjesht si komandues, por si prindi i tyre. Po kështu dhe komanduesit e tjerë të nënreparteve Isuf Bobaj, Shuaip Llaze, Filip Stefani, Kadri Mullai, Miço Kola etj. Sakaq, në historikun e shkollës, janë regjistruar si pjesë e krenarisë së saj, edhe mësuesit e parë Dule Pashai, Pavlina Grabovcka, Kadrie Kopliku, Selman Tafa, Hamdi Cani, Arqile Kondi etj. Brezi i parë i skenderbegasve që vinte drejtpërdrejt nga sheshbetejat e luftës, nuk pranoi t'i hiqte armët, por i mbante poshtë jastëkut. Kjo situatë vazhdoi deri në 9 maj 1945, ditën kur u shpall botërisht kapitullimi i ushtrisë naziste gjermane. Kronika e kohës së viteve të para dëshmon për faktin se krahas stërvitjes dhe procesit mësimor, skënderbegasit u bënë të njohur për pjesëmarrjen në aksionet e rindërtimit të vendit. Aksionet e tyre nisën me prishjen e parullës fashiste në malin e Dajtit dhe vazhduan me mbjelljen e pemëve në dy krahët e Lanës dhe parkun e Tiranës. Ata u bënë promotorë të aksioneve në veprat e para si në hekurudha, hidrocentrale, rrugë etj. Që në fillimet e saj shkolla "Skënderbej" u bë e njohur për jetën e pasur kulturore dhe sportive. Sportistët e parë të saj u bënë lider të veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare. Petrit Murzaku dhe Petrit çaslli u bënë dy nga emrat më të dashur për skënderbegasit e parë, por dhe për opinionin sportiv të kohës. Të tjerë ish skenderbegas arritën majat e sportit shqiptar në vite.
Krenaria e skënderbegasit
Ka qenë parada e parë, ajo e 29 nëntorit 1946, kur shkolla "Skënderbej" mori dekoratën e parë për demonstrim shembullor. Me qindra të tjera mori në vite, duke u rritur vrullshëm, si vet shtati i beksave. Me kalimin e viteve u zgjerua e modernizua qyteza në Tiranë. Auditorët e saj u shtuan me të tjerë në Linzë, Dajt, Rinas, Feken, Karpen, Vlorë etj. Skënderbegasit u bënë nismëtarët e olimpiadave midis gjimnazeve të Tiranës dhe atyre të rretheve. Mjaft nga trofetë e tyre u bënë "pronë" e shkollës së tyre, falë paraqitjes dinjitoze dhe cilësisë së lartë në konkurrim. Skënderbegasit sakaq janë të njohur për shumë vite, si fituesit e vetëm të garave sportive në kryeqytet, por jo vetëm. Ekipi i "Partizanit" në pjesën më të madhe të jetës së tij, është ngritur me bërthamën e sportistëve skënderbegas në të gjitha llojet e sporteve. Janë të shumtë emrat e sportistëve skënderbegas që kanë bërë emër në vite. Besnik Kurshumi, është njëri syresh që ka investuar gjatë për përgatitjen e tyre. Si shef i edukimit fizik të shkollës, ndër të tjera punoi me përkushtimin e pasion për ngritjen e qytezës sportive nga më modernet për kohën. Aty u stërvitën e dhe u bënë talente mjaft nga sportistët e "Partizanit", por edhe të ekipeve kombëtare.Mjafton të përmendim këtu rastin e Nderk Alisë ish kampionit kombëtar të atletikës (për garat e gjata), i cili bashkë me trofetë e shumtë, përgatiti dhe mjaft breza atletësh që shkëlqyen te klubi i ushtrisë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Për shumë vite shkolla "Skënderbej" u bë modeli i edukimit fizik dhe veprimtarive sportive. Përtej këtij profili sportiv, në krenarinë e shkollës së boksave kanë qenë dhjetëra e qindra studiues, profesor, mjekë, shkencëtar, shkrimtar e personalitete të fushave të ndryshme që kanë dalë nga bankat e saj dhe vazhdojnë të kontribuojnë për të mirën e shoqërisë...
Filozofia e integrimit
Në historinë 50 vjeçare të shkollës janë të shumtë njerëzit që kanë bërë emër e kanë dhënë kontribute të veçanta në stërvitjen dhe edukimin e skënderbegasve. Dr. Limoz Veliu njëri nga drejtuesit e fundit, padyshim mbetet ndër emrat më të spikatur të korpusit të tyre. Ai erdhi në këtë detyrë me diplomën e Universitetit të Tiranës dhe atë të Akademisë ushtarake, ndërkohë që kishte përfunduar studimet pasuniversitare për psikologji. I qetë e i përmbajtur, i komunikueshëm dhe këmbëngulës, sistematik dhe kërkues, dr. Veli i dha një fizionomi të re marrëdhënieve midis pjesës ushtarake dhe asaj pedagogjike të shkollës. Me pasionin dhe korrektësinë e ushtarakut, me vizionin e shkencëtarit të fushës së pedagogjisë dhe përvojën e mësuesit të virtytshëm, ai krijoi një staf të suksesshëm që ndikoi ndjeshëm në ecurinë e procesit mësimor e edukativ. Kujtesa e skënderbegasve ka fiksuar me dhjetëra të tillë. Madje jo vetëm kaq. Për ish adoleshentët me uniformë, kontributi i tyre, ishte përcaktues për integrimin e natyrshëm në zhvillimet demokratike. Nuk është e rastit që lidershipi ushtarak i viteve të fundit, ka diplomën e skënderbegasit. Nuk është e rastit që korpusi i gjeneralëve, kolonelëve dhe shtatmadhorëve të sotëm i përket brezit të ish adoleshentëve me uniformë. Ata u bënë promotorët e filozofisë së re duke realizuar reformat integruese të ushtrisë shqiptare. Gati 2000 syresh kanë përfunduar kualifikimet në akademitë më prestigjioze të Perëndimit. Mjaft ndër ta shërbejnë në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ata, të mirët, të urtit, energjikët, ish skënderbegasit e dikurshëm, që u burrëruan para kohe në bankat e shkollës së tyre të dashur dhe morën aty diplomën e parë.