E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunë në Bilisht, qëllohet me sende të forta anësori



Fitore të pastër, 3-0, për Partizanin në transfertën e prapambetur ndaj Bilishtit, ndeshje e cila është luajtur dje. Dy herë Rizvanolli dhe një herë Karapici, me penallti, kanë gatuar fitoren e çmuar të "Demave të kuq", të cilët falë 3 pikëve të marra, janë ngjitur në vendin e katërt në renditje. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur në barazim 0-0, me lojë të hapur dhe të fortë nga të dyja skuadrat, por ka munguar konkludimi. Pjesa e dytë ka nxjerrë në fushën e lojës një Partizan tepër të karikuar, që dukej qartë në kërkim të fitores me çdo kusht. Trajneri Haxhiu i ka orientuar të tij drejt sulmit duke e mbyllur Bilishtin vendas në gjysmëfushën e tij. një ndërhyrje e parregullt në dëm të Karapicit është konsideruar e parregullt nga arbitri, i cili akordoi penallti e kthyer në gol nga vetë mesfushori. Të çliruar pas avantazhit Partizani luajti më qetë duke shënuar edhe dy herë të tjera në portën vendase. Për t'u theksuar ka qenë fakti se skuadra bilishtare është kontestuar nga tifozët vendas të cilët hodhën edhe sende të forta në fushë. Aq sa në një moment u qëllua edhe arbitri anësor. Takimi i ndërpre për më shumë se 10 minuta për ti ardhur në ndihmë këtij të fundit dhe për të qetësuar tifozerinë e Bilishtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›