E Shtunë, 31 Tetor 2026

I presin gishtat për borxhin, prangosen 5 pengmarrësit



TIRANË – Pesë persona, mes tyre edhe një efektiv policie, janë arrestuar, pasi kanë marrë peng një person dhe i kanë prerë gishtat, për borxhin që i kishte njërit prej pengmarrësve. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje janë arrestuar shtetasit Aleksandër Jorgji Buli, 24 vjeç, Ilir Trini, 35 vjeç, Andi Bulku, 25 vjeç, Drini Lato, 26- vjeç dhe Joan Jorgji Buli, 26 vjec, me detyrë punonjës i policisë së Patrullës së Përgjithshme. Sipas tyre, shtetasi E.E., lindur dhe banues në Tiranë ka rënë viktimë e pengmarrjes së organizuar nga dy vëllezërit Buli dhe tre bashkëpunëtorëve të tyre tre ditë më parë. Gjithçka nisi për një borxh të vjetër që 41-vjeçari i kishte pronarit të lokalit “P... L...” në kryeqytet. Ata e kanë thirrur për kafe borxhliun brenda në lokal dhe më pas e kanë torturuar. Burimet policore thonë se ata i kanë prerë E.E., gishtat e dorës, e goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas i keqtrajtuari ka marrë ndihmën e parë. Ai ka bërë denoncimin në polici, e cila më pas organizoi operacionin për kapjen e autorëve të kësaj ngjarje. Sipas burimeve policore, arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit të koduar “24 orë”, i realizuar nga specialistë të seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Brenda 48 orësh u bë e mundur që të ndalohen autorët e ngjarjes, ku njëri prej tyre, shtetasi Joan Jorgji Buli, 26 vjec, ishte me detyrë punonjës i policisë së Patrullës së Përgjithshme. Gjatë kontrollit që u bë në banesën e tij u gjet edhe një armë zjarri, e cila nuk ishte e njëjtë me atë që posedonte në shërbimin policor. “Këta shtetas dyshohen, se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë rrëmbyer e më pas torturuar tri ditë më parë 41-vjeçarin E. E për shkak të një borxhi të pashlyer që i dëmtuari i kishte njërit prej 5 të arrestuarve. Ata akuzohen për “heqje të paligjshme të lirisë së personit” dhe “Torturë, të kryer në bashkëpunim”.

TË ARRESTUARIT
Aleksandër Buli, 24 vjeç, lindur e banues në Tiranë
Ilir Trini, 35 vjeç, lindur në Laç e banues në Tiranë
Joan Buli, 26 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me detyrë punonjës i policisë së Patrullës së Përgjithshme
Andi Bulku, 25 vjeç, lindur e banues në Tiranë
Drini Lato, 26 vjeç, lindur në Sarandë e banues në Tiranë

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›