Dy të vdekur në aksident, ngrica çoi në humnerë mjetin
KUKËS – Reshjet e dëborës janë bërë shkak për një aksident automobilistik në aksin rrugor Kukës –Shishtavec, i cili iu ka kushtuar jetën dy pjesëtarëve të një familje, ndërsa vajza e viktimës është plagosur rëndë. Sipas burimeve policore të tre pjesëtarët e familjes Demaj, babi dhe dy fëmijët, ishin nisur me zetor për të çuar rrobat nuses në fshatin Shtrezë së djalit tjetër, i cili nuk ndodhej me ta. Por zetori ka rrëshqitur duke rënë në greminë, ku ka lënë të vdekur në vend babin dhe djalin, ndërsa vajzën të plagosur rëndë. Në vendin e aksidentit trashësia e dëborës nuk ka qenë më shumë se 5 - 7 centimetra dhe mendohet se shkak i aksidentit të ketë qenë pakujdesia e drejtuesit të mjetit, por dhe akulli që ndodhej në këtë pjesë të rrugës.
Ngjarja
Familja Demaj kishte nisur përgatitjet për dasmën e djalit, e cila do të bëhej këtë fundjavë. Por tragjedia e ndodhur si pasojë e aksidentit automobilistik në familje i ka marrë jetën dy pjesëtarëve të saj. Kryefamiljari Sadri Demaj, 50 vjeç së bashkë me djalin e tij, Qemal Demaj 19 vjeç dhe vajzën Lulie Demaj 21 vjeç ishin duke çuar rrobat e nuses në fshatin Shtrezë, një traditë kjo e dasmave shqiptare. 50-vjeçari martonte një djalë tjetër që për momentin nuk ndodhej në automjet. Por, mjeti me të cilin udhëtonin viktimat ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë për shkak e ngricave dhe dëborës që ka rënë ditët e fundit në zonën e Kukësit. Drejtuesi i mjetit nuk ka mundur të zotërojë dot zetorin i cili i ka dalë jashtë kontrollit duke përfunduar në greminën, e cila ndodhej afër fshatit Shtreze.
Viktimat u gjetën nga banorët e zonës, të cilët pasi dëgjuan zhurmën u drejtuan nga vendngjarja për ti dhënë ndihmën të aksidentuarve. Për pasojë babë e bir u gjendën të vdekur në vend ndërsa vajza e plagosur rëndë u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Kukësit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore vajza është e dëmtuar në disa pjesë të trupit por është jashtë rrezikut për jetën. Të tre ishin pjesëtarë të një familjeje nga fshati Bardhoc i rrethit të Kukësit, i cili ndodhet afër fshatit Shtreze ku dhe ndodhi aksidenti. Policia e Kukësit mbërriti në vendngjarje ku konstatoi se aksidenti ndodhi kur automjeti me të cilën udhëtonin 3 shtetasit ka rrëshqitur duke përfunduar në një greminë. Në vendin e aksidentit trashësia e dëborës nuk ka qenë më shumë se 5 - 7 centimetra dhe mendohet se shkak i aksidentit të ketë qenë pakujdesia e drejtuesit të mjetit, apo dhe akulli që ndodhej në këtë pjesë të rrugës.
Moti i keq
Vendi ynë është përfshirë nga një mot i keq, ku kanë nisur problemet e para nga reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë ditëve të fundit në Kukës, Pukë e Korçë. Ashtu sikurse edhe vitet e tjera, komunat e bllokuara janë ato Grykë Çajës, Kalisit, Arrnit dhe Zapodit. Autoritetet vendore kanë këshilluar drejtuesit e makinave që në akse të tjera rrugore, si ajo në drejtim të Shishtavecit apo në drejtim të Qafë Malit të lëvizet me zinxhir, për të parandaluar rrëshqitjet e mundshme të makinave. Por viktimat e para të motit të keq u regjistruan dje në zonën e Kukësit. Edhe gjatë ditës së sotme moti pritet të jetë i keq dhe me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta, kryesisht në zonat malore. Policia iu këshillon drejtuesve të mjeteve që të përdorin zinxhirë në mjetet e tyre në zonat ku ka reshje dëbore dhe ngrica.
Maskat grabisin të moshuarit, dyshime për nipin e viktimës
KORÇË - Dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e një çifti të moshuarish në fshatin Menkulas të rrethit të Devollit, ku kanë dhunuar 80-vjeçarin dhe kanë grabitur gjithçka në banesën e tij. Viktima ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital, ndërkohë që janë hedhur dyshime se autor i ngjarjes mund të jetë nipi i dy pleqve që jetojnë të vetmuar. Burime për gazetën bëjnë të ditur se banesa e shtetasit Shefki Çuçka është grabitur në orët e para të ditës së djeshme. Sipas tyre, dy persona të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e 80-vjeçarit dhe i kanë marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë. Më pas ata kanë masakruar të moshuarin, ndërsa bashkëshortja e tij, Melja, nuk ndodhej në shtëpi. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka transportuar në spitalin e qytetit të Bilishtit të keqtrajtuarin, i cili nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë për autorët e grabitjes. Agjentët e policisë nisën hetimet, duke përdorur edhe qentë special për ndjekjen e gjurmëve. Sipas burimeve zyrtare, janë ndaluar dy të rinj, ku njëri prej tyre është nipi i çiftit Çuçka.
Mësohet se 80-vjeçari Çuçka i është grabitur banesa edhe dy herë të tjera më parë. Deri tani në polici janë shoqëruar dy persona. Por po vazhdojnë hetimet e mëtejshme për gjetjen e autorëve. Ky është rasti i tretë i grabitjes nga maskat gjatë kësaj jave.
I rrëmben mjetin taksistit, arrestohet
TIRANË – I ka kërkuar taksistit që ta çojë në periferi të Tiranës, dhe më pas i ka marrë mjetin dhe e ka keqtrajtuar. Por, pas denoncimit, autori është arrestuar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë u bë arrestimi i shtetasit Vladimir Xhemal Peposhi, 21 - vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Domje 1. Sipas tyre, të shtunën në mbrëmje, rreth orës 02.30, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, dyshohet se pasi ka marrë një mjet taksi me qëllim për të shkuar në Domje 1, dhe pasi ka mbërritur i ka vjedhur mjetin me dhunë, shoferit taksi e më pas është larguar me shpejtësi. “Nga puna hetimore e kryer nga specialistë të hetimit të krimit pranë këtij komisariati, u mundësua kapja e tij së bashku me mjetin tip taksi të vjedhur, në afërsi të stacionit të trenit në qytetin e Durrësit”, - thonë burimet zyrtare.
14 Dhjetor 2009