E Diel, 1 Nëntor 2026

Bëhen gati regjistrat për vaksinimin e fëmijëve nga Gërdeci

Bëhen gati regjistrat për vaksinimin e fëmijëve nga 0-14 vjeç të mbijetuar nga tragjedia e Gërdecit. Specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik kanë marrë kontakte me prindërit, kanë regjistruar të dhënat për të gjithë fëmijët e vegjël, në mënyrë që ata të vaksinohen në kohë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është bërë një planifikim për muajin mars dhe prill, ndërsa janë marrë masa shëndetësore jo vetëm për të vegjlit, por edhe për popullatën e rritur të Gërdecit. "Janë përcaktuar emrat e grup-moshës 0-14 vjeç, që do të vaksinohen sipas kalendarit, është përzgjedhur kontingjenti i fëmijëve që do të vaksinohet për muajt mars dhe prill ‘08", sqaroi zyrtarisht dje, Ministria e Shëndetësisë. Raporti i javës i përgatitur nga shëndeti publik referon se: "Nuk ka raste patologjike, si shtim i rasteve me sëmundje respiratore dhe të ngjashme. Po kështu, nuk referohen raste intoksikacionesh, apo të patologjive akute të lidhura si me përqendrime të plumbit në ajër, apo në ushqime. Nuk identifikohen raste të sëmundshmërisë profesionale, ç‘ka dëshmojnë për mosndotje të ajrit dhe ujit të pijshëm. Në Vorë, por kryesisht në Konvaleshencë, ku janë strehuar banorë dhe fëmijë nga zona e Gërdec-Marqinetit, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Shëndetit Publik në Durrës janë shpërndarë dhe afishuar fletëpalosje për kujdesin higjieno-sanitar. "Kujdesi për higjienën e duarve", "Mikja juaj duart e pastra", LANI-për higjienën e tërë trupit, "për parandalimin e diarresë", janë disa nga përmbajtjet kryesore të këtyre fletëpalosjeve. Ato janë shpërndarë për të mbajtur pastër ambientin, higjienën personale, në mënyrë që të mos rrezikohet asnjë epidemi. Uji i pijshëm i 2 ujësjellësve që furnizojnë Vorën dhe fshatrat përreth rezulton kimikisht dhe bakterologjikisht i pastër, si dhe i klorinuar siç kërkohet. Nga këto vlerësime përjashtohen ujërat e puseve individuale, që prej kohësh ekzistojnë dhe funksionojnë jo vetëm në zonën e Vorës, por edhe në tërë fshatrat e rrethit të Tiranës dhe që nuk përdoren për pirje. U është bërë e ditur tërë banorëve, edhe të Vorës, mospërdorimi për pirje i ujit të puseve individuale. Po kështu, në çdo rast të mos mundësisë së përdorimit të ujit nga ujësjellësit, për pirje të përdoret ujë i ambalazhuar, ose i zier. Për sa i takon sigurisë ushqimore janë marrë masa jo vetëm në kryerjen e analizave, por edhe në groposjen e kafshëve të buta. Nga kontrolli i objekteve të prodhimit ushqimor si furra buke, të magazinimit dhe tregtimit të produkteve ushqimorë, si dhe atyre të ushqimit social, konstatohen dëmtime në dyer-dritare. Në disa objekte po kryhen riparimet në dyer-dritare, ndërkohë aktivitetet përkatëse vijojnë: tregu ushqimor është i furnizuar rregullisht dhe produktet ushqimore janë "brenda kërkesave". Ujërat e ambalazhuar, që tregtohen në zonën e Vorës, rezultojnë të rregullt për pirje. Nga inspektorët sanitarë veterinarë të Sektorit, në eliminimin e kafshëve të ngordhura në zonën e Gërdecit, deklarohen të "groposura" 246 kafshë të buta.SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›