Buxhetorët, 10% e rrogës për Gërdecin
Qeveria shqiptare ka planifikuar që të vjelë 10 për qind nga rrogat e secilit prej buxhetorëve të saj, në mënyrë që të paguajë dëmin që ka shkaktuar në fshatin Gërdec pas shpërthimit tragjik të një jave më parë. Edhe pse nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë "vendim" të pashkruar, por tashmë në ekzekutim e sipër të qeverisë, ata që punojnë në shtet do të kenë 10 për qind më pak nga pagesa e përhershme. Në listën e kontribuuesve do të jenë mësuesit, ushtarakët, policët, mjekët e infermierët, punonjësit e administratës së institucioneve të varësisë etj.
Duke e zhveshur çështjen nga aspekti altruist i saj, juristët mendojnë se kjo nuk është shenjë e mirë për shtetin ligjor. "Kjo është shkelje. Nuk ka asnjë bazë ligjore që buxhetorëve t‘u mbahet nga paga e tyre qoftë edhe një për qind e pagesës për qëllime filantropike apo të tjera". Kështu shprehet një prej juristëve, i cili ndonëse punon në një institucion shtetëror do të duhet që të "vuajë" këtë "altruizëm të detyruar" qeveritar me paratë e punonjësve të saj. Ndërkohë që justifikimi për paratë e munguara të emergjencave civile duket se nuk mungon as këtë herë. Institucionet shtetërore, në mënyrë "të pavarur", kanë vendosur që të kontribuojnë për të ndihmuar ata që u lënduan dhe u dëmtuan pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec të Vorës.
Por sipas vetë punonjësve, miratimi i tyre nuk është marrë aspak. Madje as që janë pyetur edhe në rast se ndonjëri do të kishte kundërshtime. Kështu ka ndodhur me uniformat blu, apo me një numër të madh pedagogësh, shefat e të cilëve kërkojnë që me këtë rast të manifestojnë "devotshmërinë" e tyre në ditë të vështira për partinë në pushtet. Gjithashtu, juristët bëjnë me dije se për raste të tilla fatkeqësish dhe dëmesh që duhen përballuar nga shteti, në përputhje me ligjin ka fonde të caktuara. Ato janë fondet rezervë që çdo shtet serioz duhet t‘i ketë të garantuara për qytetarët e tij në raste fatkeqësish natyrore apo "babëzish për përfitime të shfrenuara në kurriz të njerëzve", si në rastin e Gërdecit. Fatura e dëmeve po "përtypet" ende në Ministrinë e Financave dhe zyrën e emergjencave civile, që pas raportimeve të pushtetit vendor duhet të përballet me rreth 4 mijë objekte të dëmtuara ose të shkatërruara tërësisht, apo me plot 400 biznese që rrezikojnë falimentimin, nëse shteti nuk ndërhyn për t‘i rikuperuar dëmet. Sipas raportimeve të deritanishme vetëm 200 objekte kanë dëmtime të lehta që nënkupton faktin se shumat e dëmet janë vërtet të mëdha.
Megjithatë, askush nuk mund t‘i detyrojë buxhetorët që të heqin dorë nga 10 për qind e pagës së tyre mujore, për të mbuluar "arkën e rrënuar" të qeverisë, për të cilën ata punojnë. Madje, protesta e tyre nën zë shkon edhe ca më tej. "Vetë i vrasin dhe ne na mbajnë rrogën", shprehet një mësuese, e cila për shkak se duhet të ruajë vendin e punës, nuk mund të dalë dot e vetme përballë kryeministrit, për t‘i treguar atij përgjegjësitë që ka qeveria në rastin e kësaj tragjedie. Po kështu, të tjerë pohojnë se kontributi i tyre financiar për të dëmtuarit e kësaj tragjedie, në mënyrë të lirë ka shkuar dhe po shkon në llogaritë bankare, që tashmë janë bërë publike për këtë çështje. Por kurrsesi ata nuk bien dakord me faktin që qeveritarët t‘ia hedhin edhe këtë herë po në kurriz të qytetarëve, që duhet të paguajnë edhe faturat e gabimeve të krerëve të tyre.
SSSASS