E Diel, 1 Nëntor 2026

Bëhet gati "valsi" i pankinave

Asnjë prej katër skuadrave të mëdha në Spanjë nuk e di nëse do të mbajë të njëjtin trajner për sezonin e ardhshëm, edhe pse asnjë prej tyre nuk është në përfundimin e kontratës që ka me klubin. Shuster i Realit të Madridit, Rajkard i Barcelonës, Kuman i Valencias dhe Himenez i Seviljes, janë të gjithë të rrezikuar, pasi nuk po arrijnë të bindin tifozeritë dhe drejtuesit e klubit me lojë dhe rezultate. Gjithçka do të varet nga dy muajt e fundit të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Shuster ka objektiv kampionatin, ndonëse edhe ky mund të mos mjaftojë për gjermanin. Liga e Kampioneve është objektivi i parë për Rajkard, i cili është në garë edhe për kampionatin dhe Kupën e Mbretit. Ndërsa Kuman dhe Himenez duhet të sigurojnë medoemos pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Të katër skuadrat e mëdha po interesohen për emra të rëndësishëm trajnerësh si Hoze Murinjo apo Mikael Laudrup, i cili këtë vit ka bërë mrekulli me Getafen, duke e kthyer në një skuadër pretendente. Po nuk mungojnë as emra trajnerësh italianë si Marçelo Lipi dhe Xhani De Biazi, pa harruar Marselinon, që ka arritur të ngrejë në nivele shumë të larta skuadra me pak emër si Rekreativo dhe Racing Santander.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›