E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behgjet Pacolli: Anna Oxa grua autoritare

Shqiptar, kozmopolit, autori i restaurimit të Kremlinit dhe në krye të një kompanie shumëkombëshe me vlerë prej 3 miliardë eurosh, në një intervistë ekskluzive për revistën ‘Oggi’ rrëfen pengun e tij: “Në vitin 1997 isha në zyrë në Lugano me Anna Oxa-n. Erdhën disa djem që deshën të bisedonin me mua. Dukeshin si të pastrehë. Isha i zënë dhe i lashë të prisnin gjatë. Më kërkuan 10 milionë dollarë për një projekt në Internet. Nuk i kuptova dhe u thashë jo. Ata ishin themeluesit e Google.” - kështu rrëfehet një nga sipërmarrësit dhe aktualisht politikani më i diskutuar në Kosovë. zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, në shkrimin për revistën italiane që mban titullin “In Kosovo, nella tana dorata di Pacolli”. E arkitekti shqiptar i Kremlinit në intervistën e etiketuar si ekskluzive nga e përjavshmja ‘Oggi’, duket se është rrëfyer për gjithçka. Në intervistën e gjatë, të realizuar nga pallatin e tij prej 7 mijë metrash katrorë në Prishtinë, Pacolli rrëfehet edhe për ish-bashkëshorten, këngëtaren me origjinë shqiptare Anna Oxa-n. “E kam dashur shumë, por nuk është rastësi që nuk jemi më bashkë. Marrëdhënia jonë ishte totalizuese. Në periudhën e fundit me të, për herë të parë në jetën time, pata ndjesinë se nuk do t’ia dilja mbanë. Anna është një grua autoritare, gjë që unë se kapërdija dot. Por nuk do ishte keq ta kishim presidente të Kosovës”- tregon ai rreth martesës me këngëtaren italiane me origjinë shqiptare, një martesë që u përfol shumë në atë periudhë. Por sigurisht që ai nuk mund të mos flasë edhe për mikun e tij Silvio Berluskoni. E këtu ai flet si politikan. Fillimisht kërkon të sqarojë diçka rreth deklaratës së pak ditëve më parë të ministrit italian të Mbrojtjes, Ignazio La Russa, i cili deklaroi se kontingjenti italian do të tërhiqet shumë shpejt nga Kosova. “Kjo është thjesht propagandë mediatike, pasi deri tani nuk ka asnjë iniciativë konkrete për tërheqjen e kontingjentit të trupave italiane nga Kosova. Ushtarët italianë në Kosovë ndihen si në shtëpinë e tyre”- shprehet Pacolli. Por ai rrëfen edhe projektin e tij për t’u rikthyer sërish në postin e Presidentit të Kosovës. Me sa duket, presidenti më jetëshkurtër në këtë detyre nuk ka hequr dorë nga ëndrra presidenciale. Biznesmeni deklaron se po përgatitet për një fushatë zgjedhore që mund ta çojë në postin e Presidentit të Kosovës brenda vitit. “Në fillim të vitit isha President për 35 ditë, gjatë të cilave fillova reformën e ligjit zgjedhor për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës”, rrëfen ai. Pacolli është mik i Silvio Berluskonit, por kur i thua kështu e ka merak të veçojë ndryshimet që ka me të. “Unë frymëzohem nga Sarkozy. Pse? Sepse ai qeveris në mënyrë elegante”. Sipas tij, Kryeministri italian nuk ka të drejtë kur “sulmon magjistratët dhe gazetarët dhe politikisht ka bërë disa hapa të gabuar. Përgatiti A.Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›