E Diel, 1 Nëntor 2026

Behrami e do Romën

Roma ka bërë hapa të rëndësishëm përpara rreth transferimit të Valon Behramit nga West Ham Unitedi. Mediat italiane shkruanin të hënën se futbollisti kosovar i ka thënë PO klubit nga kryeqyteti italian, të cilit mund t’i bashkohet gjatë kësaj vere. Mirëpo, për t’i siguruar shërbimet e 25-vjeçarit, nënkampioni italian duhet ta sakrifikojë një futbollist, në shkëmbim të përfaqësuesit zviceran.

E përditshmja italiane, Corriere dello Sport shkruan se klubi Giallorossi, për Behramin ia ofron klubit londinez portierin Doni, mbrojtësin e djathtë Cicinho, ose sulmuesin Stefano Okaka. Edhe pse ekipi romak është i bindur në transferimin e ish-futbollistit të Lazios, një pengesë mund të jetë klubi Hammers, ngase ekipi i Avram Grant është në dilemë për ta shitur apo jo futbollistin mitrovicas.

Një opsion tjetër është huazimi i mesfushorit, njëkohësisht mbrojtësit të djathtë kosovar tek ekipi i Claudio Ranierit, me mundësi blerjeje definitive gjatë verës së ardhshme. Pas brazilianëve Simplicio e Adriano, Behrami mund të jetë ‘gjuajtja’ e tretë e madhe e klubit Giallorossi këtë verë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›