E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mezi pret rikthimin

Etrit Berisha do t’i kthehet fushës së blertë shumë shpejt. Portieri kosovar ndihet i frustruar pasi iu desh të pushonte gjashtë javë për shkak të një lëndimi që kishte pësuar në ijë.

Ky lëndim bëri që ish-portieri i klubit prishtinas, 2 Korriku, ta humbiste pozitën e portierit të parë në ekipin e tij, Kalmar. “Kam filluar të ndihem më mirë. Më nuk ndiej dhembje, jam lehtësuar”, ka thënë Berisha për fotbollDirekt.se.

Problemet fizike të Berishës kishin filluar të shfaqeshin në ditët e para të muajit qershor. Në pranverë ai pati një sukses të madh duke e lënë në bankinë portierin e padiskutueshëm të klubit suedez, Peter.

Por, nga muaji i kaluar, 21-vjeçari nuk mund të vraponte, pasi ndiente dhimbje të forta në këmbë. Ky lëndim ia pamundësoi atij paraqitjet në kualifikimet në Europa League dhe në kampionatin suedez kundër Djurgardenit.

Tash duket se më në fund Berisha është gati t’i kthehet portës së ekipit të tij. “Puna me Kjell Svensson (fizioterapeuti i Kalmarit) ka funksionuar mjaft mirë së fundmi. Këto ditë do ta kem kontrollin final e më pas mund të luaj pa problem. Ishte një periudhë frustuese, nuk kam hasur asnjëherë në një lëndim të tillë”, vazhdoi ai.

Gjatë periudhës sa mungoi Berisha, portieri Peter është rikthyer si titullar në formacionin e ekipit të tij. Ai është në formë të mirë, andaj Berisha nuk do ta ketë lehtë të rikthehet si numër një. Sidoqoftë, objektiv i parë i reprezentuesit kosovar është që ta sanojë në tërësi këtë lëndim.

“Momentalisht, prioriteti i parë është që të rikthehem nga lëndimi. Unë besoj në vetvete. Do të luftoj dhe do të ushtroj fort, pastaj do të luaj sërish si më parë”, përfundoi Berisha, i cili mbetet me shpresë që pas një jave t’i rikthehet fushës së blertë.

Kjo nënkupton se Berisha do të mungojë në përballjen e ekipit të tij me Goteborgun më 1 gusht, por me gjasë, edhe më 8 gusht ndaj Trelleborgut. Rikthimi i tij në portën e Kalmarit mund të ndodhë më 14 gusht, në ndeshjen kundër Elfsborgut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›