Behrami është një fenomen

Valon Behrami është një fenomen i futbollit. Kështu mendon mesfushori i Udineses Gelson Fernandes, i cili foli për ndeshjen e së dielës Fiorentina – Udinese, por nuk la pa e përmendur mesfushorin kosovar, i cili po shkëlqen në fanellën e klubit Viola.
“Ndoshta mund të duket një deklaratë anësore, sepse edhe unë jam zviceran si ai, mirëpo Behrami është një fenomen i jashtëzakonshëm. Këtë ma konfirmoi edhe sot. Është një vlerë shumë e rëndësishme për Fiorentinën, e cila mbështetet në të në aspektin e personalitetit dhe përgjegjësisë”, deklaroi Fernandes për ueb faqen italiane calciomercato.com.
Behrami e ndihmoi klubin nga Firenze ta mposhtë Udinesen me rezultat 3:2. Ish futbollisti i Veronës, i Lazios dhe i West Ham Unitedit ishte pranë transferimit në Juventus muajin e kaluar, por vendosi përfundimisht të qëndrojë tek ‘Viola’, sepse nuk deshi ta tradhtojë klubin i cili i besoi në momentet më të vështira të karrierës.