E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho kritikon gjyqtarët

Nga Express më 24 shkurt 2011 në ora 10:40

Jose Mourinho kritikoi gjyqtarët, pas barazimit të Real Madridit 1-1 në Lyon në Ligën e Kampionëve, duke theksuar se një penallti e paakorduar mund të dëshmohet vendimtare në ndeshjen e kthimit të fazës eliminatore të garës.

Karim Benzema shënoi kundër ish skuadrës së tij para se Bafetimbi Gomis të barazonte kah fundi dhe mbajti të hapur përballjen para ndeshjes së dytë në Spanjë. Mirëpo, takimi mund të kishte dhënë një tregim tjetër, nëse gjyqtari Wolfgang Stark do të kishte akorduar një penallti, kur goditja e lirë nga Cristiano Ronaldo dukej se kishte qëlluar dorën e një mbrojtësi të Lyonit pas një ore lojë.

“Është vështirë të jesh gjyqtar dhe ka gabime në ndeshje që vijnë si rezultat i lodhjes ose ngadalësisë së reagimit”, tha trajneri i Real Madridit, Mourinho.

“Këto janë ato gabime që duhet t’i pranojmë. Por, ka gabime tjera që nuk mund të pranohen. Ishte një goditje e lirë dhe që në xhirim të ngadalësuar shihej qartë. Isha mjaft larg, por e kam parë. Ai (Stark) ishte shumë pranë, me gjithë asistentët e tij dhe nuk e pa. Nuk e kuptoj. Mund të jetë rast vendimtar në përballje, por shpresoj të mos jetë ashtu”, theksoi ai. Pavarësisht barazimit 1-1, Mourinho mbetet optimist për ndeshjen e kthimit.

“Ekipi im nuk ka frikë, jemi 50-50, por është rezultat pozitiv. Shpresoj që Bernabeu t’i ndihmojë ekipit në krijimin e një nate magjike evropiane”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›