Lajme të mira nga FIBA
Më në fund, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë lajme të mira nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA).
Në fakt, të hënën, në adresë të shtëpisë së basketbollit kosovar ka arritur shkresa nga sekretari gjeneral i FIBA-s, Patrick Baumann, në lidhje me diskutimin për FBK-në dhe raportin nga vizita e fundit e drejtorit sportiv të FIBA-s, Lubomir Kotleba, në Kosovë.
Pra, çështja e Kosovës ishte në rend dite në mbledhjen e Bordit Qendror të FIBA-s, e cila u mbajt më 12 e 13 mars në Lyon të Francës.
Sekretari gjeneral i FIBA-s, Patrick Baumann, njofton se Bordi Qendror i FIBA-s, në mbledhjen e vet të fundit të mbajtur, ka aprovuar pikat e mëposhtme në lidhje me diskutimet e zhvilluara me drejtorin sportiv të FIBA-s në nëntor të vitit të kaluar.
“Lojtarët e rinj nga Kosova do të kenë të drejtë të marrin pjesë në kampet për të rinj, të organizuara jashtë Kosovës. Pjesëmarrja në kampe do t’u nënshtrohet të njëjtave kufizime, të cilat aplikohen për pjesëmarrjen e ekipeve për kategori të reja në turne miqësore”, është njëra prej kërkesave të FBK-së, e aprovuar nga FIBA.
Jo vetëm kaq. Një lajm tjetër i mirë për basketbollin e Kosovës është se klubet e këtushme tash e tutje do të mund t’i mbrojnë kartonët e lojtarëve të tyre, njëjtë siç ndodh me ekipet e futbollit të Kosovës.
“Rregulloret e brendshme të FIBA-s, për sa i përket të drejtës në lidhje me transferimin e lojtarëve, do të mund të aplikohen për lojtarët e Kosovës sikurse është përvoja ndërmjet FIFA-s dhe FFK-së. Në kohën e duhur, FIBA do t’ua japë një draft–kontratë të ngjashme me atë të zbatuar nga FIFA”, vazhdon shkrimi i dërguar nga FIBA.
Ndërkohë, sekretari Baumann informon se propozimet tjera janë anuluar/përjashtuar nga Bordi Qendror. Ai përfiton nga rasti ta falënderojë FBK-në për letrën e dërguar më 16 mars për propozimin për një takim në selinë e FIBA-s.
“Ne do të jemi të lumtur të takohemi me ju. Me mirësi ju kërkoj që të kontaktoni me z. Kotleba për ta caktuar një datë takimi të përshtatshme për të gjitha palët”, shkruan në fund Baumann.
Kjo është shenja e parë që e jep shtëpia e basketbollit botëror. Natyrisht, udhëheqësit e FBK-së mund të jenë të kënaqur përkohësisht me këtë lëvizje, por objektiv kryesor i tyre është inkuadrimi me të drejta të plota nën ombrellën e FIBA-s.