Luan Krasniqi u kthehet stërvitjeve
Pas virusit infektues që e detyroi të anulojë duelin e 26 shkurtit, që ishte caktuar të zhvillohej në Ludviksburg të Gjermanisë kundër amerikanit Johnathan Banks, Luan Krasniqi u është kthyer stërvitjeve. Pas tri javësh pushimi total ai ka rifilluar stërvitjet nga e para. “E gjithë puna që kisha bërë shkoi dëm. Jam i kënaqur që kam filluar me stërvitje sërish. Tani çdo gjë nis nga e para. Vrapimet, peshat dhe ushtrimet tjera bazike”, tha Krasniqi në faqen e tij zyrtare të internetit. Për të nuk është vështirë të gjejë motivimin për punë. “Shpresoj se do të fitoj një shans gjatë verës, është një rast i madh dhe dua ta shfrytëzoj. Dua t’u kthej diçka të madhe tifozëve të mi”, tha ai. Junikasi ende ndien keqardhje për moszhvillimin e duelit. “Më vjen keq, jo vetëm për rastin e humbur. Palestra ishte e shitur dhe shumë njerëz që dëshironin të më shihnin janë dëshpëruar. Kam përgjegjësi ndaj këtyre njerëzve, të kthehem, dhe atë vetëm në një duel kundër Banksit”, tha Luan Krasniqi.