E Shtunë, 31 Tetor 2026

U turpëruam

Federata e Futbollit e Kosovës ndihet e turpëruar me gjendjen e rëndë të fushës së stadiumit të Prishtinës, e cila i qiti hije të keqe miqësores ndërmjet përfaqësueses së Kosovës me Renovën. Shtëpia e futbollit kosovar ndihet e zhgënjyer me udhëheqësit e FC Prishtinës, të cilët, sipas tyre, nuk ditën ta mirëmbajnë fushën dhe ta respektojnë përfaqësuesen. FFK pret mbështetje nga Ministria e Sportit, por ndërkohë udhëzon klubet t’i mirëmbajnë stadiumet. Nga Moral Pozhegu më 29 mars 2011 në ora 12:11

Udhëheqësit e futbollit kosovar nuk e kishin pritur një rrjedhë të tillë çfarë pati takimi miqësor ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe Renovës. Normalisht, me lojën që u tregua nga të dyja skuadrat, askush nuk ka mbetur i kënaqur.

Por, problemi nuk qëndron pikërisht këtu. Ajo që zhgënjeu më shumë ishte fusha në gjendje katastrofale e stadiumit të Prishtinës, e cila ishte e mbushur me gunga, si të mos përkujdesej askush për të prej disa vitesh.

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të cilët ishin vetë ata që e organizuan ndeshjen, ndihen të turpëruar me gjendjen e fushës në kryeqytet, tek e cila u ankuan lojtarët dhe trajnerët e të dyja skuadrave.

“Për atë që ndodhi të dielën nuk ka arsyetim. Na vjen keq për të gjithë ata që ishin të pranishëm në stadium. Thjesht, jemi turpëruar”, ankohet sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Sipas tij, në fushën e stadiumit të Prishtinës mungon mirëmbajtja. “Më besoni, 30 vjet më parë, fushat në Kosovë kanë qenë më të mirëmbajtura. Aty nevojitej vetëm ujë dhe cilindër, asgjë më shumë. Të jeni të bindur se do të mjaftonte vetëm një person apo dy për ta rregulluar gjendjen e fushës. Stadiumi i Prishtinës ishte në gjendje të turpshme, me të vërtetë kemi mbetur pa fjalë. Përfaqësuesja e ka merituar një respekt më të madh”, vazhdoi Salihu për Express.

Ai insiston se shumë fusha në stadiumet tjera kosovare janë në gjendje më të mirë se ajo e Prishtinës. Mirëpo, FFK vendosi që përfaqësuesja të luajë në kryeqytet, për shkak të shikuesve. Salihu ka mbetur me të vërtetë i zhgënjyer me gjendjen e mjerueshme të stadiumit të Prishtinës.

“Ai klub ose ajo kryesi që e merr në shfrytëzim një stadium, duhet edhe ta mirëmbajë atë si duhet. Duket se udhëheqësit e klubit të Prishtinës kanë vështirësi të veta dhe janë lodhur, por diçka duhet të lëvizë këtu. Duhet të investohet aty. Ndoshta duhet të ndihmojë edhe Komuna, edhe pse klubi tashmë është privat”, thotë ai.

FFK ka biseduar me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe me ministrin e Sportit, Memli Krasniqi. Salihu tregon se ministri i ri ka premtuar se do ta mbështetë shtëpinë e futbollit të Kosovës në këtë aspekt.

“Ministria do të ndërhyjë në rregullimin e stadiumit të Prishtinës dhe atë të Mitrovicës, në mënyrë që në të ardhmen t’i krijohen kushte më të mira përfaqësueses dhe mos të përsëritet rasti i së dielës. Do të tentojmë që ta bëjmë një stadium nacional”, deklaroi sekretari i FFK-së.

Ish futbollisti i njohur kosovar e pranon se gjendja e fushave në Kosovë nuk është në nivelin më të mirë. Por, ai është i bindur se gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen, kur Federata t’i vë kriteret më rigoroze ndaj klubeve, një gjë që nuk ka ndodhur deri tash.

Ai udhëzon klubet që të punojnë seriozisht në këtë aspekt, sepse, shton ai, Federata nuk është ajo që merret me ndërtimin apo rregullimin e stadiumeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›