Behrami, superlativa për trajnerin Xhanfranko Zola
Mesfushori kosovar, Valon Behrami, i cili aktivizohet në Premier Ligë tek Uest Hem Junajtit, ia ka atribuuar rikthimin pozitiv të formës së ekipit trajnerit Zola. “Të gjithë po luftojmë për t’u përmirësuar çdo ditë, dhe ky është sekreti ynë”, - ka thënë Behrami, i cili aktivizohet për Kombëtaren e Zvicrës. “Kur kemi humbur katër ndeshje radhazi, menaxheri ishte gjithmonë pozitiv, duke qeshur me ekipin, andaj, kur shkonim në stërvitje, kënaqeshim duke punuar edhe më shumë. Kjo na bën edhe më të fortë dhe tash vetëm duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”, - ka shtuar Behrami.
Paraqitja
Javën e kaluar Valon Behrami ishte lojtari i ndeshjes në fitoren 2-0 në transfertë të Uest Hemit kundër Hartlepulit, në raundin e katërt të Kupës së Anglisë. Ish-lojtari i Lacios shënoi një gol të bukur në minutën e 44-t, ndërsa Mark Noble dyfishoi shifrat.
Paraqitja e shqiptarit nga Kosova me pasaportë zvicerane nuk ka kaluar pa rënë në sy të ekipeve më të mira të Premier Ligës. Së fundi u fol për një kalim të mundshëm të tij te Çelsi. Valon Behrami mund të shndërrohet kështu në futbollistin e parë shqiptar që do të luajë për Çelsin. Lajmi është dhënë një muaj më parë nga gazeta prestigjioze italiane, “Gazzetta dello Sport”, që shkruan nga ana e saj se klubi i miliarderit rus, Roman Abramoviç, është në ndjekje të lojtarit të Uest Hemit. Kosovari me pasaportë zvicerane është edhe në fokusin e Juventusit, që po e ndjek nga afër situatën.
Vëzhgimi
Trajneri i bluve, Luis Felipe Skolari, nuk ka shumë para në dispozicion gjatë merkatos së dimrit dhe ai shpreson që trajneri i Uest Hemit do ta mbajë mesfushorin e zhdërvjellët deri në përfundimin e sezonit e më pas ta marrë Behramin te Çelsi. Behrami u largua nga Italia për në kampionatin anglez në korrikun e këtij viti te Uest Hemi, pavarësisht se drejtori sportiv i Romës, Bruno Konti, e kërkonte te verdhekuqtë romanë. Sipas lajmeve të fundit, “Blutë” e Çelsit shpresojnë të nënshkruajnë me 23-vjeçarin Behrami në përfundimin e sezonit.
Pirlo: “Milan, ende është në garë për skudeton”
Mesfushori italian, Andrea Pirlo, është i ngazëllyer pas fitores së mbrëmshme të Milanit ndaj Lazios. "Ne jemi ende në garë, pavarësisht barazimit të së mërkurës. Duam ta arrijmë Interin me çdo çmim dhe e treguam këtë me paraqitjen e sotme", - ka thënë Pirlo pas përfundimit të ndeshjes. "Ne filluam pjesën e dytë me të njëjtin vrull dhe e dëshiruam golin e dytë shpejt dhe gjithçka shkoi mirë", - ka shtuar mesfushori italian.
Benitez, i kënaqur pas fitores ndaj Çelsit
Menaxheri i Liverpulit, Rafa Benitez, është ndarë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij pas fitores së djeshme ndaj Çelsit. Të kuqtë iu rikthyen fitoreve me dy gola të Fernando Torres, të cilët ishin edhe golat e parë të tij këtë sezon në Anfield. "Jam vërtet i kënaqur me lojtarët pasi e merituam fitoren. Kur luajtëm 11 kundër 11 ishim ekipi më i mirë dhe pastaj ata mbetën me 10 lojtarë, ne kishim më shumë kontroll dhe më shumë raste", - ka thënë Benietz për Liverpoolfc.tv. "Ne morëm atë që merituam. Ishim më të mirë se ata. Mendoj se ishte e rëndësishme për ekipin dhe po ashtu për Fernandon të shënonim. Ishte një fitore vendimtare, por çdo ndeshje është si kjo. Jemi në një pozitë të mirë dhe ka shumë për të bërë", - ka shtuar trajneri spanjoll.
Dy gola të Torresit fundosin Çelsin
Sulmuesi spanjoll Fernando Torres ka shënuar dy gola të vonshëm për t'i mundësuar Liverpulit të mposhtë në Anfield, Çelsin e mbetur me 10 lojtarë në fushë dhe për të ngushtuar diferencën në krahasim me liderin e tabelës, Manchester United. Të dy ekipet ishin në kuotën e 48 pikëve para ndeshjes, pesë pikë prapa Mançester United dhe me numër të njëjtë ndeshjesh, ndërsa presioni ishte i njëjtë në të dyja anët, që kërkonin fitore për të ruajtur hapin me kryesuesin. Çelsi pësoi një goditje pas 1 ore lojë në Anfield, kur mesfushori Frank Lampard u përjashtua nga loja me karton të kuq për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër në Xabi Alonson. Pas 88 minutash lojë pa gola, Torres çoi në këmbë të gjithë publikun e të kuqve kur shënoi një gol të bukur me kokë, pas harkimit nga Fabio Aurelio (89'), duke sjellë edhe avantazhin e parë për Liverpulin. Goli, i cili ishte i pari i Torres këtë sezon në Anfield, u pasua shpejt edhe nga një gol tjetër i spanjollit, që shënoi në çastet e fundit të ndeshjes. Kësaj here për golin e dytë asistoi zëvendësuesi Yossi Benayoun (90'). Me këtë fitore, Liverpuli mbledh 51 pikë në vendin e dytë dhe i afrohet në vetëm dy pikë Mançesterit (53), që tani ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Çelsi në pozitën e tretë mbetet pesë pikë prapa liderit dhe po ashtu me një ndeshje më shumë.
3 Shkurt 2009