“Norma” e Belinit, për të spikatur Eva Golemi
Petrika GROSI
Kryevepra e Belinit, siç është opera “Norma”, rikthehet në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në kryeqytet në datat 7, 8 dhe 13 shkurt. Kjo opera është një tragjedi lirike në dy akte, që vjen me regji të Nikola Zorzit, skenografi të Genc Shkodranit, kostumografi të Anila Zajmit, dirigjim kori nga Dritan Lumshi dhe mjeshtër koncertues Edi de Nadai. Ndërkaq, protagonistë janë Eva Golemi dhe Branko Robisak dhe solistë të tjerë Shpresa Beka, Armando Likaj, Aleksandër Rrapi e Lindita Kola. Në lidhje me këtë vënie, drejtori i TKOB-së, Zhani Ciko, i pyetur nga gazeta “Albania”, shprehet se “vënia e kësaj opere pikërisht tani nuk është se lidhet me ndonjë ngjarje apo me ndonjë send, por është thjesht zgjidhje për ta filluar vitin me një vepër të repertorit të shfaqur edhe më parë, e cila vjen pas 10 vitesh. Kjo edhe për ta rimarrë të përpunuar këtë shfaqje të riparë në parametrat e saj, ndonëse ishte realizim i mirë. Një rivënie e përshtatur me regji dhe interprete të re. Në fakt, opera pritet të sjellë po kështu evidentimin e një prej solisteve që vitin e kaluar ka pasur një rritje cilësore të madhe, si Eva Golemi. Nëse ishte më parë Marjana Leka, tani është Eva Golemi”.
Kompozuar në më pak se tre muaj, kjo pjesë ishte e destinuar të shndërrohej në operan më popullore ndër 10 operat e krijuara nga Viçenso Bellini. Që në muajt e parë të vitit 1831, Belini e dinte se do të kompozonte operan e destinuar të hapte më 26 dhjetor sezonin në teatrin e famshëm “La Scala” të Milanos. Si zakonisht ai iu drejtua Feliçe Romanit, i cili prej 1827-s (nga koha e operas “Pirata”) kishte shkruar libretet e gjithë melodramave të tij dhe iu fut punës me libretistin për të gjetur subjektin që mund të muzikohej në format melodramatike të kohës. Libretisti dhe kompozitori u vunë në kërkim të një subjekti dramatik, që lejonte të shfrytëzoheshin në maksimum të dhënat vokale dhe recitimi priftëror (solemn) plot patos dhe madhështi i këngëtares. Zgjedhja ra mbi një subjekt teatral të kohëve të fundit. Në prill 1831, një tragjedi e Alexandre Soumet, “Norma” ose L’infanticide, ish vënë në skenë me sukses të madh në Teatrin Mbretëror të Odeonit të Parisit. Dramaturgu francez e kishte përqendruar punën e tij mbi tri tema. Në fillim motivi i priftëreshës që shkel principet fetare; tema - e njohur botërisht, ishte në modë në fillimin e viteve 800 dhe që sa zotëronte pa dyshim një efikasitet teatral, aq lejonte ambientimin (vendosjen) e një konflikti të brendshëm dhe privat në sfondin e skenave të përmasave të mëdha. Nga tradita e vjetër klasike zbriste tema foshnjëvrasëse si hakmarrje për një një tradhti dashurie. Dhe në fund motivi i celtico-barbarico, me ritet e lashta në pyllin e shenjtë druidik (drui – prift i keltëve të lashtë), element i imagjinatës së romanticizmit.
Pra, drama e Soumet nuk bënte gjë tjetër veçse aktualizonte në çelës romantik, tema të rrënjosura mirë në traditën klasike, që i përkiste tragjedisë antike greke. Romani, që punoi në bashkëpunim të ngushtë me Belinin, nuk u kufizua në përpunimin e intrigës së dramës franceze: mori edhe nga burime të tjera, në veçanti nga dy libretet e tij të mëparshme, Medea in Corinto dhe La sacerdotessa d’Irminsul. Veç të tjerash eliminoi çdo element fantastik nga drama e Soumet; futi momente të reja të ritualit; theksoi më shumë rolin e Adalgisës, nga njëra anë për t’i dhënë rëndësi më të madhe partit të Grisi-t (interpretja e parë e Adalgizes), nga ana tjetër, sepse personazhi ishte i nevojshëm për zhvillimin e konflikteve ndërpersonale. Por ndryshimi më i dukshëm është në konkluzionin e intrigës: në aktin e pestë të tragjedisë së Soumet, Norma kryen vrasjen e fëmijëve, çmendet nga brejtja e ndërgjegjes dhe hidhet nga lartësia e një shkëmbi; në libretin e Romanit personazhi është më njerëzor. Finalja është plotësisht e përqendruar në bashkimin e përjetshëm në vdekje të të dashuruarve, të cilit i bashkohet zemërgjerësia e shpirtit të Normës, që akuzon publikisht vetveten madje edhe Adalgizën dhe përballet kështu me sakrificën supreme. Nga ana e Belinit dhe Romanit u vendos që opera të mos mbyllej me arien e çmendurisë: një vit më parë e njëjta këngëtare kish mbyllur operan “Anna Bolena” të Donizetit, të dhënë në teatrin “Carcano” të Milanos me arien e çmendurisë dhe kujtimi ishte akoma i gjallë në mendjen e spektatorit. Intriga e operas “Norma”, si e kemi parë, luhet e gjitha mbi alternimin dhe depërtimin e dy planeve: atë “publik”, që manifestohet në momentet rituale dhe kolektive, dhe atë private, në të cilin veprojnë ndjesitë personale dhe shpërthen konflikti i pasioneve që përfshin Normën, Adalgizën dhe Pollionen.
3 Shkurt 2009