Kampionati spanjoll, Barcelona fiton sërish
Lionel Mesi u shfaq sërish si heroi i Barcelonës në ndeshjen e javës së 21-të të luajtur ndaj Rasing Santander. Talenti argjentinas e nisi këtë ndeshje nga stoli, por trajneri Guardiola u detyrua ta hidhte në fushë në pjesën e dytë, pasi skuadra vendase arriti të shënonte me anë të Nikola Zigiç. Serbi realizoi saktë nga pika e bardhë, duke krijuar idenë se më në fund Barcelona do të ndalej. Por, i futur në minutën e 60-të, Mesi shënoi dy herë për ekipin e tij. Në fillim ai dërgoi në rrjetë një top të goditur nga Ksavi dhe të përplasur në shtyllë, ndërsa më pas arriti të shënonte pas një aksioni personal. Dalja me karton të kuq e Markez dhe Pike në fund të ndeshjes, nuk ndikuan në rezultat. Për Barcelonën kjo ishte fitorja e 9-të radhazi në kampionat. Ndërkohë, një tjetër fitore edhe për Realin e Madridit, që triumfoi 2-0 në Numancia. Ndonëse ishte fitorja e 6-të radhazi, vëmendjen më të madhe nga kjo sfidë e mori kapiteni Raul Gonzales, i cili realizoi golin numër 307, duke barazuar rekordin e legjendës Alfredo di Stefano. Goli i dytë për Realin mban firmën e të zakonshmit Roben, që goditi saktë nga kufijtë e zonës. Ndërkohë, Sevilja pësoi humbjen e dytë radhazi, këtë herë nga Sporting Gijon. Skuadra vendase luajti për pjesën më të madhe të kohës me 10 lojtarë, por Sevilja ka qenë e pafuqishme për të shënuar. Gijoni në fillim humbi një penallti, por gjithsesi nuk u dorëzua, duke shënuar golin e avantazhit me anë të Kastros në minutën e 17-të. Edhe pse ngulmoi deri në fund, Sevilja nuk mundi të barazonte, duke humbur edhe shumë raste të pastra. Në ndeshjet e tjera Atletiko e Madridit humbi 2-1 në shtëpi ndaj Valadolidit, ndërsa Valencia u rikthye te fitorja duke mposhtur 3-2 Almerian.
3 Shkurt 2009