E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: “Kërkesa e Prokurorisë nuk është në Kuvend”

Autori i Lajmit: Red.

Nënkryetari demokrat i Parlamentit, Fatos Beja, i qëndron deklaratës së bërë në seancën plenare të së hënës duke siguruar se në Kuvend nuk ka mbërritur ende asnjë kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme për t i hequr imunitetin ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ish-ministër i MPPTT-së. “Nuk ka ardhur ende një kërkese e tillë, për të cilën u interesova sërish sot në zyrën e Protokollit. Nëse do ta kisha kërkesën, do t ia çoja Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, për diskutim dhe pas kësaj kërkesa do t i përcillej Kuvendit. Nuk ka asnjë lloj arsyeje që kjo kërkesë të frenohet apo të fshihet”, - sqaroi zoti Beja, njëkohësisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, në përgjigje dhe të akuzave të opozitës për fshehje të këtij dokumenti nga ana e punonjësve të Zyrës së Protokollit të Kuvendit. Ai pohoi më tej se, pavarësisht se nuk është njohur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, nuk është normale që organi i akuzës të futet në vorbullat e luftës politike. “Ky institucion duhet të kryejë rolin që i cakton ligji, në mënyrë që institucionet shqiptare të funksionojnë mbi bazën e ligjit të ndarjes së pushteteve”, - tha ai. Të njëjtin qëndrim Beja mbajti edhe gjatë seancës së ditës së hënë, kur opozita kërkoi të merrej në shqyrtim kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›