Oketa: “Prokuroria hetim politik ndaj Bashës”
Autori i Lajmit: Suela TopiKërkesa e prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, aktualisht ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pritet të marrë një përgjigje negative nga mazhoranca. Kjo u paralajmërua dje nga zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, i cili pohoi se prokuroria kërkon të kryejë vetëm një hetim politik ndaj Bashës. I pyetur nëse mazhoranca do ta refuzojë ose jo këtë kërkesë, Oketa ka pohuar se Kuvendi ka procedurat e tij që do të respektohen. “Mazhoranca e ka një qëndrim për sa i takon imunitetit të deputetit. Nuk do të kapemi thjesht me një çështje konkrete”, - u shpreh Oketa. Rregullorja i jep Kuvendit tre muaj kohë për ta mbajtur në shqyrtim çështjen e imunitetit të një deputeti. Nëse tre muaj pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka asnjë vendim, kërkesa e tij quhet e rrëzuar.
Reagimi
Zëvendëskryeministri Oketa reagoi ndaj qëndrimeve të opozitës dhe Prokurorisë duke pohuar se, me sa duket, Theodhori Sollaku, para se të marrë një vendim, fillimisht konsultohet me zyrat e partive politike të së majtës dhe më pas reagon. Sipas Oketës, kërkesa e organit të akuzës kërkon të kryejë thjesht një hetim politik ndaj Bashës. “Të bën çudi fakti që menjëherë pas kërkimit nga ana e mazhorancës të ngritjes së komisionit Sollaku nr. 2, pak orë më pas, vjen një kërkesë e tillë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka pasur të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të vepruar edhe më parë”, - tha numri dy i ekzekutivit. Sipas tij, Kuvendi ka procedurat e tij, të cilat natyrisht do të respektohen, ndërsa shtoi se Basha u shpreh me një gjuhë shumë të qartë, duke sqaruar pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje. Duke u ndalur në çështjen e imuniteteve, zoti Oketa konfirmoi se mazhoranca ka një qëndrim të qartë, jo thjesht për emrat konkretë, por një qëndrim për sa i takon imunitetit të deputetëve. “Ky qëndrim është bërë publik këtu e dy vite më parë dhe nuk duhet të kapemi thjesht me një emër apo me një çështje konkrete”, - deklaroi ai. Përfaqësuesit e institucioneve kryesore që drejtohen nga demokratët, kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ndodhen jashtë vendit dhe vetëm në fillim të javës së ardhshme pritet të ketë një procedurë zyrtare për kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm drejtuar Kuvendit.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007