E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: “Berisha të ulet në tryezë”

Autori i Lajmit: Red.Opozita akuzon kryeministrin Sali Berisha se po vë në rrezik reformën në sistemin e drejtësisë. Pas një tryeze të përbashkët, krerët e partive opozitare deklaruan se po devijon rruga e konsensusit për reformat. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se politika që po ndiqet nga mazhoranca po vë në rrezik edhe proceset integruese të Shqipërisë në NATO dhe në BE. “Mazhoranca dhe Kryeministri po kthejnë përsëri rrugën e Kushtetutës së Shqipërisë në shtegun e antikushtetueshmërisë, sfidat e përbashkëta janë të gjitha të rrezikuara dhe të kërcënuara. Bashkohem me kolegët e opozitës së bashkuar në thirrjen që shumica parlamentare, zoti kryeministër t i qëndrojnë marrëveshjes për t u ulur në tryezë dhe për t i hapur rrugë bashkëpunimit konkret për reformën në drejtësi”, - tha Rama. Ai shtoi se nuk mund të lejohet që Kuvendi të kthehet në gjueti shtrigash. Edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mbështeti këtë qëndrim të kryesocialistit, ndërsa shtoi se mazhoranca duhet të tërheqë iniciativën antikushtetuese për komision të ri hetimor për Sollakun. Meta theksoi se kjo kërkesë minon konsensusin e ofruar nga opozita për Reformën në Drejtësi dhe rikthen periudhën e uzurpimit të institucioneve. Sipas tij, heqja e kryeprokurorit në mënyrë të njëanshme do të ketë pasoja të rënda për sa i përket stabilitetit të vendit dhe ndarjes së pushteteve. Ndërsa kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, i bëri thirrje Presidentit të Republikës që të mbrojë institucionet e pavarura. Gjinushi theksoi se mazhoranca nuk ka pasur vullnet për reforma, por për antireforma. Thirrjes së opozitës i është bashkuar dhe Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, ndërkohë që mungonte kreu i PSD-së, Paskal Milo.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›