Qeveria bind çekët, çmimi i energjisë nuk rritet në 2009
fabiola Çela
Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet. Qeveria shqiptare ka bindur kompaninë çeke, përse të mos rritur çmimin e energjisë elektrike për këtë vit. Vetëm pak orë pas nënshkrimit të kontratës së shitjes së OSSH, mes ministrit Ruli dhe drejtuesve të kompanisë çeke, këshilltari ligjor i ministrit Alfred Rushaj ka shpjeguar detajet e kësaj kontrate. Ndërkohë që në lidhje me kërkesën e Entit Rregullator të Energjisë për të ndryshuar bandën e konsumit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, Rushaj ka theksuar se edhe pas shitjes së OSSH-së, Enti është institucioni që përcakton fashën e konsumit.
Në raportin vjetor të ERE-s, drejtues të këtij institucioni kanë rekomanduar që të ndryshohet fasha e konsumit të energjisë, pra për konsumin deri në 300 kwh në muaj, çmimi i energjisë të mos jetë më 7 lekë.
Shitja
Tenderi për shitjen e Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë u zhvillua në shtator të vitit të kaluar. Në këtë tender ndërkombëtar, fituese u shpall kompania çeke “Cez”, e cila bleu 75 për qind të aksioneve me një vlerë prej 105 milionë euro. Pas shumë muajsh negociatash, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, kontrata e shitjes u firmos dje. Kjo marrëveshje hyn në fuqi pas 3 muajsh. Gjatë kësaj periudhe kontrata e shitjes do të miratohet në Kuvend. Marrëveshja e shitjes u firmos nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli dhe përfaqësuesit e kompanisë çeke. “Ne shpresojmë të ndërtojmë një rrjet të suksesshëm shpërndarje edhe në Shqipëri, ashtu siç kemi bërë në shumë vende të rajonit ku jemi prezent. Për këtë jemi gati të fillojmë, të plotësojmë të gjitha detyrimet tona. Dhe presim që brenda tre muajsh edhe autoritetet vendase, por edhe ato ndërkombëtare si Banka Botërore, dhe IFC të përmbushin ato që kanë marrë përsipër që ky proces të realizohet përfundimisht”, u shpreh drejtori i blerjeve në kompaninë çeke, Vladimir Schmalz. Ndërkohë vetëm pak orë pas nënshkrimit të kontratës, Drejtori për Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore në IFC, Shahbaz Mavaddat sqaroi edhe detajet e kësaj kontrate. Lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për kalimin e 60 milionë eurove borxh të OSSH te KESH, ai tha se një vendim i tillë u mor si pasojë e uljes së vlerave të aseteve të kësaj kompanie. Sipas tij, borxhet e OSSH-së u shtuan pas 31 janarit të vitit 2007 dhe si e tillë marrja e një vendimi të tillë nga ana e qeverisë shqiptare ishte e domosdoshme për përmbylljen e kontratës së shitjes së OSSH-së. Privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë është cilësuar si një ndër proceset më të vështirë. “Padyshim që ishte një ndër vendimet më të rëndësishme që do kishte impakt jo vetëm në sektorin energjetik, por në ekonominë e vendit në tërësi”, u shpreh dje pas nënshkrimit të kontratës ministri Ruli. Sipas tij ÈEZ do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, duke përmbushur në këtë mënyrë kërkesat e klientëve.