Memia jep 405 tapi në Shkodër: Do futim 10 miliardë USD në treg
SHKODËR - ALUIZNI në Shkodër shpërndan 405 tapitë e para për objektet informale për të cilat ishte përgatitur dokumentacioni tekniko-ligjor në Qarkun e Shkodrës. I pranishëm me këtë rast ishte edhe kreu i kësaj agjencie, Shaban Memia. Në ambientet e Këshillit të Qarkut Shkodër është organizuar shpërndarja e tapive të para për 405 përfituesit e parë nga procesi i legalizimit në Qarkun e Shkodrës. Ndërsa në fjalën e tij kreu i ALUIZNI-t Shaban Memia është shprehur për të pranishmit se: “Me dhënien e tapive qytetarëve të qarkut Shkodër fillojmë fazën përmbyllëse të formalizimit të ndërtimeve të paligjshme në Shkodër, pasi administrata në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, si dhe me një vullnet pozitiv të qytetarëve ka përpunuar mbi 2/3 e të gjithë të vend deklarimeve, padyshim duke përdorur një nga teknologjitë më bashkëkohore dhe duke nxjerrë një produkt sipas të gjitha standardeve bashkëkohore. “Sot praktikisht janë rreth 12 mijë pasuri të azhurnuara në terren, të cilat janë të realizuar në sistemin dixhital të hartave, gjë e cila i ka dhënë fund një herë e mirë deformimeve hartografike të deritanishme”, theksoi Memia. Më tej ai pohoi se: “Procesi i Legalizimit është një proces jetik për vendin, pasi kemi rreth 300 mijë pasuri në të gjithë vendin që ishin jashtë tregut, informaliteti është i shtrirë në gjithë territorin e vendit tonë dhe në nivel kombëtar llogaritet një kapital i vdekur që nuk gjeneron, nuk e përdorin dot qytetarët në nivelin e 10 miliardë dollarëve. Me formalizimin e kësaj pasurie këto 10 miliardë dollarë futen në treg”. r.d
Amendimi
Neni 10, paragrafi i fundit ndryshon si vijon
“Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI, në përputhje me pikën 4, të nenit 4 të këtij ligji, merr përsipër të ushtrimin e këtyre përgjegjësive. Afatet vendosen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave”.