KKRT, PS kërkon shkarkimin e anëtarëve
Opozita kërkon shkarkimin e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, si e paaftë për të realizuar detyrat e veta ligjore dhe institucionale. Në komisionin parlamentar të Medias është diskutuar rezoluta që do të paraqitet në lidhje me raportin vjetor të KKRT-së. Deputeti i PS-së, Musa Ulqini e cilësoi si të politizuar këtë institucion dhe jo në gjendje që të realizojë detyrën e saj. Debatet janë kryer në lidhje me reklamat qeveritare që jepen në TV publike, duke deklaruar se “KKRT-ja nuk i ka ndaluar ato”. “KKRT nuk ka mundur të realizojë funksionet e veta bazë, në ushtrim të rolit si autoritet rregullator i fushës së transmetimeve. KKRT duke mos pasur minimumin e profesionalizmit dhe të pavarësisë institucionale është kthyer në një pengesë jo vetëm për zhvillimin e tregut dhe transmetimeve, por edhe për çështje të tjera thelbësore, si liria e shprehjes dhe sigurimi i rolit të medias në shoqëri mediatike”, thuhet në projektrezolutën e PS-së. Ndërsa një nga vërejtjet e tjera të PS-së lidhet me faktin se “përsëritja e shfaqjes mediatike e më gjerë e drejtuesve të KKRT-së, si dhe mënyra e ushtrimit të funksioneve të veta institucionale tregon hapur se ato janë jo përfaqësues të pavarësisë institucionale të KKRT-së, por shtojcë e segmenteve që i shërbejnë interesave politikë të Qeverisë”. Deputetët e maxhorancës kanë hartuar një rezolutë të tyre, duke vlerësuar punën e KKKRT-së, si dhe kanë hedhur poshtë qëndrimet e mbajtura nga ana e deputetëve të opozitës. Në të i kërkohet nisja për licencimit të operatorëve numerikë.