E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Blushi po prish listat dhe zgjedhjet

05/05/2005  Urdhri i ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, për heqjen e adresave shifrore zgjedhore nga listat e zgjedhësve, është cilësuar nga deputeti Fatos Beja, si udhëzim i kundërligjshëm. Heqjen e kodit treshifror të adresës së zgjedhësve nga lista e votimit, Beja e ka cilësuar si një tendencë për të manipuluar sërish listat. Sipas deputetit të PD-së, “ministri nuk ka të drejtë të japë një udhëzim të kundërligjshëm, dhe kjo nuk mund të jetë e paqëllimshme, pasi janë 40 deri në 50 për qind të listave pa kodin e adresës. Votuesit janë shpërndarë sipas qejfit, duke i hequr nga qendrat e votimit, në të cilën ata banojnë, dhe kjo ka nevojë të korrigjohet me shpejtësi, përndryshe procesi zgjedhor është i prishur. Ministri është përgjegjës për prishjen e listave dhe të zgjedhjeve në Shqipëri, me këtë veprim që ka ndërmarrë“, tha Beja. Ndërsa, sipas ministrit Blushi, hartimi i listave zgjedhore ka probleme më të rëndësishme se shqetësimi që nxjerr deputeti demokrat, duke anashkaluar në këtë mënyrë pse në listat e votuesve, hapësira ku vendosej numri treshifror, që përcakton adresen e votuesit, është bosh. Sipas tij, një veprim i tillë është bërë për arsye teknike. Në këtë listë është lënë vetëm kodi treshifror i gjendjes civile dhe ai katërshifror i qendrës së votimit. Ndërkohë që Blushi është shprehur se për momentin institucioni i tij dhe e gjithë administrata, që po merret me hartimin e listave, po fokusohet tek eliminimin e dublimeve, të cilat rezultojnë rreth 200 mijë. Sipas ministrit, ky problem është i administrueshëm nga strukturat që janë ngritur. Blushi nuk ka ngurruar të sulmojë dhe përfaqësues të PD-së në administratë, duke i cilësuar si pengues të procesit. “Unë dhe administarta ime po lodhemi, duke u përpjekur që të kthejmë në argument injorancën e përfaqësuesve të PD-së. Hartimi i listave është një proces i decentralizuar dhe kjo nuk po kuptohet nga përfaqësuesit centralistë të PD-së, ku bashkitë dhe komunat punojnë në mënyrë autonome për hartimin e listave”. Gjithashtu, Blushi ka kërkuar që të ketë një bashkëpunim dhe mbështetje më të gjerë politike për të hartuar kështu lista zgjedhësish të pakontestuara nga faktori politik shqiptar, ashtu siç ka ndodhur pas çdo zgjedhjesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›