Dy drejtues të LSI përshëndesin sot kongresin e socialistëve
05/05/2005 Larg emocioneve të një Kongresi elektoral, Partia Socialiste sot synon të zhvillojë një kongres tepër modern dhe pa fjalime të gjata të liderit, apo të përfaqësuesve të tjerë të partisë. Duke e cilësuar si një garë kongresesh mes dy forcave kryesore të politikës shqiptare, ku pa frikë është synuar që të gjejë vend fjala e urtë popullore “Fshati që duket nuk do kallauz”. Edhe në media, ditët e fundit, i është kushtuar më shumë vëmendje imazhit se si do të zhvillohet kongresi i PS-së, sesa përmbajtjes dhe rëndësisë që ka ajo që do të miratohet nga delegatët e këtij Kongresi. Sipas programit të punimeve, kongresi elektoral i PS-së do të miratojë platformën elektorale të PS-së, për të përballuar zgjedhjet e 3 korrikut. Delegatët e kongresit do të ratifikojnë listën e 100 emrave të kandidatëve për deputetë, të cilët do të jenë ata që do të shpalosin platformën elektorale të partisë. Gjithashtu, delegatet e kongresit pritet të miratojnë dhe paketën e propozuar tri ditë më parë nga Edi Rama, duke synuar kështu që të ndërmarrin ndyrshimet në statutin e PS-së. Një vend të veçantë në mbajtjen e kongresi i është kushtuar dhe të ftuarve. Pjesëmarrja e partive simorta të rajonit, të Evropës dhe më gjerë. Gjithashtu, të gjitha partitë politike parlamentare i janë dërguar ftesa për të qenë pjesëmarrëse në këtë aktivitet të PS-së. Mësohet se në kongres ende nuk është caktuar se kush përfaqësues i Partisë Demokartike do të marrë pjesë, ndërkohë që disa ditë më parë socialistët refuzuan ftesën e demokratëve për të marrë pjesë në kuvendin e tyre kombëtar. Ndërsa nga Lëvizja Socialiste për Integrim duket se do të jetë si përfaqësues i kësaj partie, anëtari i Kryesisë, Dritan Ylli, dhe anëtari i KDK-së Ertion Halili.