Prokurorë të Krimeve të Rënda në Itali për dosjet e fundit të drogës
05/05/2005 Prokurorë të Krimeve të Rënda kanë shkuar në Itali, ku do të takohen me homologët e tyre në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, që prek të dy shtetet. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se qëllim i vizitës së hetuesve të Krimeve të Rënda në Itali, janë disa dosje në ngarkim të organizatave ndërkombëtare të trafikut të drogës, që kanë në përbërje të tyre shtetas italianë dhe shqiptarë. Vetëm muajin e fundit, prokuroria dhe policia italiane ka kryer katër operacione antidrogë, ku në pranga kanë rënë me dhjetëra italianë e shqiptarë. Ndërsa janë shpallur në kërkim të tjerë persona të akuzuar si organizatorë dhe anëtarë të këtyre bandave të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Burimet theksojnë se, pikërisht hetimi i këtyre dosjeve është edhe qëllimi kryesor i vizitës së hetuesve të Krimeve të Rënda në Itali. Disa javë më parë, gjatë oeracionit antidrogë të koduar me emrin “Actros”, policia italiane ekzekutoi afro 10 urdhër-arreste ndaj shqiptarëve dhe sekuestrimin e një anije me të cilën transportohej heroina. Sipas policisë italiane, gjatë nëntë muajve të këtij operacioni, ishin kapur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 150 kilogramë heroinë. Ndërkaq, karabineria e Leçes goditi disa ditë më parë një organizatë me emrin “Morabito”, në përbërje të së cilës kishte siçilianë dhe disa shqiptarë, një prej të cilëve u prangos.