Itali, shkatërrohet rrjeti italo-shqiptar i heroinës, në pranga 34 persona
05/05/2005 Policia italiane vazhdon serialin e operacioneve antidrogë ndaj rrjeteve italo-shqiptare të trafikimit. Këtë herë kanë përfunduar në pranga 34 persona të akuzuar si organizatorë dhe anëtarë të një bande të strukturuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku në përbërje të tyre kanë qenë edhe shqiptarë. Operacioni i fundit që ka filluar mesnatën e dy ditëve më parë dhe që është ende në vazhdim, është përqëndruar në qytetin e Torinos. Mediat italiane kanë cituar burime zyrtare të policisë vendëse, që kanë theksuar se janë arrestuar 34 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Policia italiane ka thënë për mediat se në përbërje të organizatës ka pasur edhe shqiptarë. Sipas mediave italiane, operacioni kishte goditur e shkatërruar një rrjet të trafikimit të heroinës, që transportohej nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas policisë italiane, të cituar nga mediat vendëse, hetimi ndaj kësaj organizate kishte filluar që në vitin 2002 dhe se gjatë gjithë kësaj periudhe ishin sekuestruar 116 kilogramë heroinë. Nga hetimet trevjeçare ka rezultuar se droga vinte në Itali nga Shqipëria përmes Portit të Durrësit. Heroina ndalonte në Bari e Ankona dhe më pas transportohej në qytetet e veriut të Italisë.