Shtyhet Gjongecaj, vonohet ekspertiza mjekësore
05/05/2005 TIRANË – Bashkëpunëtorja në trafikun e lëndës narkotike nuk ka arritur të lërë dje qelitë e paraburgimit të repartit 313. Zamira Gjongecaj, nëpërmjet avokatit Sajmir Visha, që në seancën për dhënien e masës së sigurimit pretendoi se është shtatzënë dhe, për këtë arsye duhet të qëndrojë në një masë më të butë arresti se ajo e burgut pa afat. Por gjykata, e bindur nga provat e akuzës për bashkëpunimin e të pandehurës në fazat paraprake të hetimit, kërkoi kryerjen e një akti ekspertize për të vërtetuar këtë fakt. Mësohet se akti i ekspertizës është kryer, por nuk është paraqitur para gjykatës. Kjo gjë bëri që të shtyhet seanca për një datë tjetër. Gjongecaj u arrestua dy javë më parë së bashku me tre të pandehurit të tjerë. Në shtëpinë e saj, pasi ishte mbajtur në survejim për një kohë të gjatë, u gjetën dhe sekuestruan 5 kg heroinë e pastër. Asnjë prej të pandehurve nuk e ka pranuar akuzën e trafikut të heroinës, edhe pse sasia e 5 kg drogë u kap në shtëpinë e të pandehurës Zamira Gjongecaj. Për të shkuar deri këtu, Prokurorisë i është dashur të bëjë survejim për një kohë të gjatë. Po kështu lidhjet mes tyre janë përforcuar, edhe pas kryerjes së përgjimit. Zamira Gjongecaj është vërtetuar se ka lidhje me kreun e grupit, Besnik Braka, i cili ka mbi shpinë edhe akuzën e trafikut të fishekëve.