E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHISH të jap infoamcaion mbi kandidatët

05/05/2005  Kryetari i PS-së, Fatos Nano, u kërkon institucioneve të larta të dhëna mbi listën e socialistëve

2 ushtarakë dhe 3 biznesmenë konkurrojnë nën siglën e PS për parlamentarë

Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, u ka kërkuar institucioneve më të larta të shtetit të japin informacione mbi kandidatët e PS-së për deputetë. Ndaj, të 100 kandidatët e deklaruar në media janë ende në rezervë, deri në marrjen e informacionit të plotë. Në procesin e verifikimit janë përfshirë, SHISH, SHKB, KLSH, Drejtoria e Doganave dhe ajo e Tatimeve dhe Ministria e Drejtësisë. "Unë kam kërkuar për të 100 kandidatët potencialë rekorde legale nga Prokuroria, Ministria e Drejtësisë, për shkak të vendimeve të gjykatave që ajo arkivon, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Rendit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Shërbimi Informativ i Shtetit. Nuk besoj se mbetet ndonjë ekuivok, që për rekorde që nuk pajtohen as me kriteret ligjore, as me kodin e sjelljes, që nënshkruan të gjithë subjektet me Presidentin e Republikës, i cili është i të njëjtës natyrë me kodin e brendshëm etik të PS-së, nuk do t’i jepet mundësia kandidatëve vulnerabël të regjistrohen", tha Nano. Nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur se nga informacionet paraprake, nga PS-ja nuk ka kandidatura me konflikt interesi, apo që kanë qenë pjesë e forcave të armatosura. "Lista jonë është minimalisht sensibël ndaj kategorive që ju sollët në vëmendje. Në të ka vetëm dy ish-ushtarakë dhe vetëm tre biznesmenë, ende kandidatë potencialë", tha kreu i Partisë Socialiste. Ndërsa ka theksuar se të 100 emrat e deklaruara në media janë ende në rezervë, deri në miratimin përfundimtar.

Ftesa

Kryesocialisti ka hedhur poshtë deklaratat për një marrëveshje mes tij dhe Edi Ramës për miratimin e platformës më të fundit, për pranimin e fraksioneve në PS. Sipas tij, drafti u votua tani dhe jo para dy vitesh, sepse iniciativa u poq dhe natyrshëm u votua me konsensus të gjerë, jo vetëm formalisht. "Nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë, apo delegim autoriteti, apo dirigjim vote. Mund të kishte ndodhur natyrshëm edhe në 2003-shin, por, meqenëse Kongresi i 2003-shit ishte më i elektrizuar sesa çdo kongres tjetër, për shkak se një grup, që natyrshëm mund të ishte fraksion sot, goditi mbi parimet e solidaritetit dhe mohoi vlerat themelore, që kishin krijuar socialistët në 13 vjet", tha Nano. Ndërsa, duke vlerësuar ndryshimin, ai u shpreh i hapur dhe për të pranuar të larguarit. "Nuk ka asnjë paragjykim për të gjithë ata individë, forca politike, alternativa të strukturuara apo jo politikisht, të cilët gjejnë më shumë hapësirë dhe liri veprimi, apo konkurimi në mjediset e reja të krijuara në PS. E përsëris, kufiri deri tek i cili ne shkojmë është Berisha dhe çdo individ, apo grupim, që bashkëpunon me të. Dhe jo sepse kjo është shenja konstante e urrejtjes, apo hakmarrjes time, apo tonë politike për Berishën dhe opozitën e vjetër që ai drejton, por sepse ky emër dhe ajo lloj politike është shfaqur përfundimisht sa dëm ka sjellë dhe sa pak shanse - për të mos dëmtuar sërish - ka në Shqipëri dhe në rrugën e saj drejt Evropës", tha Nano.

Informacioni për BE

Politika duhet të bëjë shumë më tepër për të shkatërruar monopolin e informacionit që vjen nga Evropa, të mos e mbajë më për vete, por ta shpërndajë në të gjithë njerëzit, qytetarët, në qendra urbane apo rurale, të cilët preken nga afrimi ynë me Evropën, të cilët duhet të krijojnë ashtu si shteti, administrata, ekonomi, institucionet, kapacitetet për të konkurruar, duke iu afruar qytetarit evropian, apo për të përballuar konkurrencën e lirë, që nis qysh në kufijtë tanë detar apo tokësor.

Mandati i tretë

Unë besoj në këtë gjë, edhe sepse ky që po mbyll është pak a shumë i vetmi mandat i plotë 35-mujor, që kam ushtruar në detyrën e Kryeministrit, në tre shanset që më ka dhënë politika dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri deri më sot. Pra, një mandat pothuajse i plotë më ka dhënë mundësinë të njoh problemet e funksionimit të qeverisjes në Shqipëri në këtë stad, kostot, rezervat, pjesët e errëta, ku ka informalitet, korrupsion dhe burime për t’u buxhetizuar gjithashtu.

Dënimi për të korruptuarit

Në tre vitet e fundit, janë 18 mijë raste nëpunësish të ulët, të mesëm dhe të lartë, që janë dërguar nga qeveria për procedim ligjor, ose mesatarisht 20 raste në ditë. Në rast se KLSH ka dërguar në prokurori në tre vitet e fundit 45 funksionarë të lartë publikë, qeveria ka dërguar mbi 490 të tillë. Këto janë shifrat, ky është raporti midis autoriteteve dhe unë e mirëkuptoj ndjeshmërinë që ka publiku për përplasjen e juridiksionit të ligjit me juridiksionin e moralit dhe të opinionit publik.

Ndryshimet në PD

Midis ndryshimit të shfaqur në Kryesinë e PD-së, në Këshillin e saj Kombëtar, në raport me ne, kemi qenë dhe mbetemi të detyruar të bëjmë edhe opozitën e vetvetes, sepse për faktet e njohura dhe të kapitalizuara në memorjen e të gjithëve dhe në kushtet e pluralizmit, kjo opozitë nuk është konkurruese. Ajo, edhe me ndryshimin, nuk sjell asnjë element, që mund të konkurrojë frymën e diktatit dhe të klonimit të personaliteteve dhe të individualiteteve, sipas fytyrës së liderit të kësaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›