Nano: Jam në moshë për president
05/05/2005 Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë takimit me drejtuesit e mediave ka lënë të nënkuptuar se synon të marrë postin e Presidentit të Republikës. "Unë jam vetëm 52 vjeç dhe kam shumë respekt për të gjithë Presidentët në moshë më të madhe se unë, me përjashtim të njërit, që kam besim që ka nevojë për atë moshë pjekurie ai funksion i kreut të shtetit. Por, natyrisht, unë nuk jam këtu për të thënë që kam vendosur monopolin mbi detyrën e Kryeministrit", tha Nano. Në këtë mënyrë, ai ka lënë të hapur të gjithë mundësitë, duke u shprehur se janë zgjedhjet, ato që do të vendosin. Madje, në këtë rast, ai ka përmendur dhe rastin e zgjedhjeve në Britaninë e Madhe. "Ju e dini që unë e nxis dhe e toleroj, pastaj edhe e fitoj konkurrencën me rotacion, dhe Shqipëria, edhe nga parametrat që sapo përmenda, nuk është Britania e Madhe, ku Toni Bler këtë herë ka kredon e fushatës, se është hera e fundit që kandidon për Kryeministër", tha Nano. Vetëm 3 vjet më parë, nga PS-ja u bë e ditur se Nano do të synonte postin e Presidentit. Por, si pasojë e kundërshtimit të institucioneve ndërkombëtare, të cilat kritikuan fenomenin e Dushkut, Nano u tërhoq, duke pranuar Presidentin konsensual. Megjithatë, për të arritur këtë, Nanos do t'i duhet të garantojë 84 vota, që lejojnë miratimin e emrit të tij për President. Ndaj dhe fushata elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut, pritet të jetë e ashpër dhe me tensione të shumta. Opozita do të kërkojë të fitojë zgjedhjet parlamentare, ndërsa Nano do të përdorë skemat e mundshme për të garantuar postin e Presidentit, apo për të themeluar qeverinë e ardhshme.