LSI-ja paraqet platformën e saj për Kodin e ri Zgjedhor
Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë dje sërish propozimet e radhës përsa i përket hartimit të Kodit të ri Zgjedhor. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha se çështja e reformës zgjedhore dhe e Kodit të ri Zgjedhor ka mbetur sërish në vazhdën e retorikës politike dhe mediatike pa asnjë përparim konkret. Për këtë arsye, Haxhinasto, në emër të LSI-së, ka kërkuar nisjen sa më shpejt të procesit të hartimit të Kodit të ri Zgjedhor. Këtë kërkesë Haxhinasto e ka bërë edhe duke paraqitur propozimet e LSI-së, të cilat do të ndikojnë për një proces të ndershëm zgjedhor në Shqipëri. Propozimi i LSI-së është që Kodi i ri Zgjedhor duhet të hartohet në komisionin “Ad Hoc” parlamentar, në të cilin duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike. Haxhinasto tha gjithashtu se propozimi i LSI-së është aplikimi i sistemit të korrektimit kombëtar. “Është e domosdoshme që të vendosjet një korrektim kombëtar për votat që partitë nuk mund t’i përdorin në nivelin e rajonit zgjedhor me qëllim që të korrigjohet dëmi që sistemi zgjedhor i përzgjedhur nga PD-ja dhe PS-ja i bënë përfaqësimit proporcional të shqiptarëve”, - tha Haxhinasto. LSI-ja ka propozuar gjithashtu edhe mënyrën e llogaritjes së rezultatit zgjedhor, që duhet të jetë Metoda Hare, në të cilën shpërndarja e mandateve të deputetëve bëhet mbi bazën e përqindjeve të marra nga partitë, dhe jo mbi bazën e numrit të votave. Haxhinasto ka folur gjithashtu edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “KQZ-ja duhet të vazhdojë të jetë një institucion i pavarur dhe të funksionojë me ligj të veçantë. Përpjekjet për ta vendosur atë në varësi të Ekzekutivit do të ishte një veprim për të kontrolluar dhe manipuluar procesin zgjedhor nga maxhoranca aktuale. Përbërja e KQZ-së dhe e komisioneve të të gjithë niveleve duhet të jetë gjithëpërfshirëse sipas formulave aktuale që kanë provuar se funksionojnë normalisht”, - tha kreu i KDK-së së LSI-së. Haxhinasto kërkoi nga qeveria që të deklarojë datën e përfundimit të regjistrit kombëtar të zgjedhësve dhe atë të prodhimit të kartave të identitetit.
Propozimet e LSI-së
Kodi i ri Zgjedhor duhet të hartohet në Komisionin Ad Hoc Parlamentar
Në komision duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike
Të aplikohet korrektimi kombëtar në sistemin proporcional rajonal
Metoda e llogaritjes së votave duhet të jetë Metoda Hare (ndarja e mandateve të bëhet mbi bazën e përqindjeve dhe jo të votave të marra nga partitë)
KQZ-ja të jetë një institucion i pavarur dhe të funksionojë me ligj të veçantë
Përbërja e KQZ-së dhe e komisioneve të të gjitha niveleve duhet të jetë gjithëpërfshirëse
Qeveria duhet të deklarojë datën e përfundimit të regjistrit elektronik të zgjedhësve
Qeveria duhet të deklarojë datën e prodhimit të kartave të identitetit.
26 Qershor 2008