Tre musketierët e FRESSH-it, tur paralel me Ramën
Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar, më datë 4 të këtij muaji do të nisë një tur mbarëkombëtar të quajtur “Re-FRESSH Summer Tour – Turi i rinisë”. Me sa duket, pas nismës së dialogut me Shqipërinë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, edhe struktura rinore e partisë kryesore të majtë do të iniciojë një lëvizje paralele, të ngjashme me të, por me disa karakteristika kyçe dalluese dhe që do të fokusohen ekskluzivisht te të rinjtë. Thelbi i këtij turi do të jetë ai që FRESSH-istët e quajnë “Libri i të rinjve”, pra një axhendë ku do të përmblidhen të gjitha idetë, problematikat dhe shqetësimet e të rinjve anë e mbanë Shqipërisë, me qëllimin që ky libër, më pas, të kthehet në programin qeverisës të Partisë Socialiste, kur kjo e fundit të fitojë zgjedhjet dhe të udhëheqë shqiptarët në vitin 2009. E ideuar nga të ashtuquajturit “Tre Musketierët e FRESSH-it, Sokol Kondi, Dritan Broka dhe Ajola Xoxa, kjo nismë ka marrë miratimin e PS-së. Në FRESSH ka kohë që po ndihet një erë ndryshimesh dhe riaktivizimi i strukturave. Tre iniciuesit e këtij projekti janë studenti Dritan Broka, gazetari dhe i diplomuari për shkenca politike e marrëdhënie ndërkombëtare Sokol Kondi, dhe ish-studentja e Sorbonës, Ajola Xoxa. Duke shpjeguar thelbin e këtij turi, Kondi shprehet se “për herë të parë të rinjtë do të marrin në dorë fatin e tyre dhe do t’i përpilojnë ata vetë përparësitë dhe politikat që i nevojiten dhe nuk do të lejojnë më të gënjehen, nga politikanë, të cilët shfaqen vetëm kur ka fushata elektorale për ta dhe u bëjnë premtime për zgjidhjet e problemeve”.