Berisha: Reforma zgjedhore, në pritje të PS-së
Mazhoranca, gati për ndërhyrjet në kod
Kreu i qeverisë: PS, një hap para e dy mbrapa
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se mazhoranca është në pritje të angazhimit të Partisë Socialiste, për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor. Gjatë një konference për shtyp, ku Kryeministri bëri një rezyme të rezultateve të arritura nga vizita e tij e fundit në Bruksel, Paris dhe Monte Karlo, tha se bërja e reformës zgjedhore është një zotim i padiskutueshëm i qeverisë. Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se mazhoranca është e gatshme të hyjë në veprim, sapo pala tjetër të jetë gati. Më tej, Kryeministri vlerësoi se në lidhje me këtë çështje nuk sheh hapa para të PS-së, veç kthim mbrapa. “Ai është një zotim i padiskutueshëm dhe do të realizohet në afatin më të shkurtër. Ne presim Partinë Socialiste, e cila bën një hap para dhe dy hapa pas, sot fton dhe nesër thotë s’kam kohë. Nëse ka diçka për të cilën interesi është absolut i njëjtë, është Kodi Zgjedhor. Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur të procedojmë sapo pala tjetër të jetë e gatshme. Ne nuk kemi asnjë vështirësi sa i përket Kodit Zgjedhor. Në takimet që zhvillova, nuk ma ngritën këtë çështje, por nuk kanë nevojë ta ngrenë, pasi ajo është një çështje për t’u zgjidhur”, - tha kreu i ekzekutivit. Njëkohësisht, kreu i qeverisë sqaroi pozicionin e qeverisë lidhur me kërkesën e Shqipërisë për të qenë vend me status kandidati për të hyrë në BE. Duke iu referuar kërkesës së opozitës për ta bërë sa më parë këtë kërkesë, kreu i qeverisë vuri në dukje se është mirëkuptues ndaj tyre, por çdo gjë do të bëhet në bazë të negociatave dhe vendi ynë është i gatshëm ta bëjë këtë. “Nuk mund të them se nuk e trajtova këtë problem gjatë takimeve që zhvillova Bruksel dhe e trajtova me të njëjtën transparencë që e trajtoj me ju. Kjo do të jetë një çështje e negociatave dhe ne do të negociojmë. Unë e mirëkuptoj opozitën dhe kam mirëkuptim për çdo shqiptar që shtyn për të aplikuar për statusin si vend kandidat në Bashkimin Evropian, por gjykoj se nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë një veprim i njëanshëm. Kur shkon e troket tek dera e tjetrit, mund të hysh dhe pa e njoftuar, por i mirëpritur je atëherë kur e ke njoftuar më parë. Kështu që edhe ne do të bisedojmë përpara dhe pastaj do të ndërmarrim aktin”, - tha Kryeministri Berisha. I pyetur nga mediat se si po funksion marrëveshja e lëvizjes së lirë me vendet e BE-së, Kryeministri vuri në dukje angazhimin e qeverisë shqiptare, që qytetarët e saj të lëvizin sa më lirshëm, pavarësisht se ekzistojnë dhe burokraci që e pengojnë këtë proces. “Marrëveshja në tërësi po funksionon, por me disa mangësi, të cilat janë në zgjidhje e sipër nga vetë komisioni. Kjo marrëveshje është me Komisionin Evropian, i cili është i autorizuar nga të gjitha vendet anëtare pa përjashtim, por teknikalitetet burokratike janë në zgjidhje e sipër. Sidoqoftë, ne po bëjmë çdo gjë për heqjen e vizave, në mënyrë që shqiptarët të lëvizin të lirë dhe pa viza”, - tha Kryeministri.
Godo: Tryezë gjithëpërfshirëse për reformën zgjedhore
Presidenti i republikanëve u bën thirrje aleatëve të vet, që të mblidhet në një tryezë dhe të diskutojnë për reformën zgjedhore. Sipas tij, Kodi i ri Zgjedhor duhet të jetë produkt i konsensusit të të gjitha partive. “Mazhoranca duhet të thërrasë tryezën për reformën zgjedhore për hartimin e Kodit Zgjedhor, për të kërkuar kështu një garanci se kodi nuk do të jetë një pakt mes këtyre dy partive, PS dhe PD”, - tha Godo. Ai vuri në dukje se nëse nuk bëhet kjo, do të thotë të injorosh pjesën të madhe të elektoratit. Ai rikërkon që të thirret tryeza, çka do t’i shërbente dhe formulës për daljen në zgjedhjet e 2009-s. “PD ka bërë një vesh të shurdhër, megjithëse ne i kemi bërë thirrje për të mbledhur tryezën”, - tha Godo.
Kryeministri: Brukseli, mbështetje për reformat në vend
Pas vizitës në Bruksel, Paris dhe Monte Karlo, Kryeministri Berisha përcolli mesazhin e mbështetjes së Bashkimit Evropian ndaj reformave të bëra në Shqipëri. Për vizitën e tij në Bruksel, Kryeministri vuri në dukje se mesazhi i marrë nga komisioneri i Zgjerimit, Oli Rehn, ishte se rezultati i referendumit irlandez nuk e prek procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe kjo kishte një rëndësi shumë të madhe. Ndërsa për vizitën e tij në Paris, ku Partia Demokratike u pranua anëtare me të Drejta në Bashkimin Demokratik Ndërkombëtar, Kryeministri vuri në dukje se ky anëtarësim përbën një moment historik për forcën politike që drejton vendin, pasi me këtë anëtarësim PD-ja është aktualisht, plotësisht e integruar në të gjitha organizmat partiake, të partive simotra evropiane, botërore. “Dua t’u them këtu se reformat që ka kryer qeveria e këtij koalicioni që udhëheq kjo parti, janë spektakolare, duke i faktuar botës se kjo është një parti tërësisht e qendrës së djathtë”, - tha kreu i qeverisë. Njëkohësisht ai vlerësoi se tepërmi edhe takimin me Presidentin francez, Nikolas Sarkozy, të cilin e ftoi për një vizitë në Shqipëri, duke marrë në këtë mënyrë një përgjigje pozitive. Një vizitë të mundshme të Presidentit francez, Kryeministri Berisha e cilësoi një moment historik mes dy vendeve. Në lidhje me vizitën e kryer në Monte Karlo, Kryeministri vuri në dukje se gjatë takimeve të bëra me këtë rast, shfrytëzoi të gjitha mundësitë për t’u treguar këtyre personaliteteve, mes tyre edhe shumë biznesmenëve, se Shqipëria është një vend i posaçëm për të investuar.
“Dialog me Shqipërinë” në Athinë, Rama në takim me emigrantët
Turi i “Dialogut me Shqipërinë”, i cili tashmë është në fazën e tij përmbyllëse, do të dëgjojë mendimet dhe vlerësimet e shqiptarëve që ndodhen në emigracion. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me një grup deputetësh, mori pjesë pasdite në një takim me emigrantët shqiptarë në Athinë të Greqisë. Në takim u prekën problemet e emigrantëve, duke pasur parasysh se Partia Socialiste, në kuadër të programit të saj elektoral, do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë opinionit të atyre njerëzve që realisht po përpiqen me të gjitha mundësitë për të ndihmuar zhvillimin e vendit. Lideri socialist kërkoi mbështetjen e emigrantëve në Athinë, pasi ata janë njerëzit, të cilët e kuptojnë më mirë se kush janë nevojat e ndryshimit, të cilat më pas do të pasqyrohen në programin e ri. Ky takim i djeshëm, është në vazhdën e kontakteve që Partia Socialiste do të ketë, në kuadrin e përgatitjeve për fushatën elektorale të zgjedhjeve në vitin 2009.