PR-Topit: Zgjidh emra me mbështetje të gjerë politike
Partia Republikane bëri dje publike kriteret, që sipas saj, duhet të plotësojnë kandidatët për t'u përzgjedhur si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Përmes një letre të nënshkruar nga kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, republikanët kërkojnë që "kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të kenë provuar, nëpërmjet kurrikulumit të tyre profesional, përkushtim të lartë ndaj detyrës, profesionalizëm dhe sens të lartë drejtësie, të njohur publikisht". Ky kusht, sipas republikanëve, duhet të verifikohet nga ana e Presidentit të Republikës dhe verifikimi të bëhet publik, duke cituar dhe burimet e informacionit. Sipas PR-së, "kandidatët për Gjykatën e Lartë duhet të gëzojnë besim dhe mbështetje të gjerë politike lidhur me aftësinë e tyre për përmbushjen e misionit të drejtësisë, besim dhe mbështetje e gjerë politike që gjithashtu duhet të verifikohet nga Presidenti i Republikës me faktorin politik parlamentar". Republikanët janë të mendimit se "kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të dëshmojnë pastërti të lartë ligjore dhe morale, gjë që duhet të provohet minimalisht nëpërmjet verifikimit paraprak të deklarimit të tyre të pasurisë dhe të shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit (fiskale dhe sigurime shoqërore) për pesë vitet e fundit. Emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve të Presidentit, do të kalojë përmes asistencës ligjore të posaçme të një grupi ekspertësh, i ngritur me propozim të kreut të shtetit. Dy partitë kryesore, PD dhe PS, i janë përgjigjur zyrtarisht kërkesës së Presidentit. Ndërkohë dje ishte dhe afati i fundit për partitë politike për të paraqitur kriteret për emrat e rinj në organin më të lartë të gjyqësorit shqiptar. Tashmë pritet vendimi i Topit për emrat e rinj.