Beja: Do votojmë ligjin e konfliktit të interesave
17/03/2005 PD deklaron se do të votojë në favor të projektligjit për konfliktin e interesave, duke e përkufizuar këtë si ndër më të mirët të hartuar për këtë qëllim. Fatos Beja, tha dje se ligji është përshtatur me situatën që po kalon aktualisht qeverisja shqiptare. "Ligji është i rreptë, por duhet të kuptojmë që situata ekstreme, në të cilën jeton shoqëria shqiptare, ka nevojë për ilaçe të forta, prandaj unë uroj që ky ligj të zbatohet dhe publiku të dalë fitues", tha Beja. Sipas tij, ligji në fjalë jo vetëm që ndalon qeveritarët të kenë bizneset e tyre, por ndalon dhe familjarët e tyre të kenë marrëdhënie kontraktuale me shtetin në rast se aktiviteti kalon shumën e 8 milionë lekëve në vit. "Në projektligjin e paraqitur nga qeveria parashikohej që për bizneset e të afërmve të zyrtarëve të shtetit me të ardhura deri në 25 milionë lekë të reja mund të kesh marrëdhënie kontraktuale me shtetin. Ne kërkuam që të hiqej ky nen nga ligji. Socialistët nuk pranuan dhe ne këmbëngulëm që shifra 25 milionë të bëhet 8 milionë lekë të reja, aq sa është kufiri i një biznesi të vogël. Tani do të varet nga parlamenti cilin version do të votojë, pasi do të shkojë edhe versioni i minorancës së komisionit që është versioni, ku lejohet të ketë marrëdhënie kontraktuale deri në 8 milionë lekë të reja", tha Beja.