E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pronat krisin koalicionin PD-PR

17/03/2005  Mediu: "PD-ja duhet t'i japë përgjigje këtyre kushteve që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe integrimin evropian"

Berisha: "PD dhe PR janë dy motra, të cilat që në fillim e deri më sot kanë patur një kundërshti"

Deklarata e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, e bërë pak ditë më parë, për mosabrogimin e ligjit 7501, ka rihapur debatin me Partinë Republikane, e cila rrezikon daljen nga koalicioni. PR-ja është aleatja më e ngushtë e PD-së, e cila e ka ngritur programin e saj kryesisht në kthimin dhe kompensimin e pronave, por është njëkohësisht dhe kundërshtuesja më e ashpër e ligjit 7501 për ndarjen e tokave të miratuar në vitin 1992, në kohën kur PD-ja ishte në pushtet.

Berisha

Kryetari demokrat, Berisha, është shprehur dje se abrogimi apo jo i ligjit në fjalë është një kundërshtim kahershëm i dy partive të djathta. "PD dhe PR janë dy motra, të cilat që në fillim e deri më sot kanë patur një kundërshti, që është ky ligj. Kundërshtia në këtë ligj nuk ka penguar të bëjnë aleancat më të shkëlqyera. Ajo është një çështje e programit e Partisë Republikane", tha Berisha. Sipas tij, qëndrimi i PD-së do të jetë i palëkundur për kthimin dhe kompensimin e pronave, por formula do të gjendet duke mos e abroguar ligjin 7501. "Respektimi i këtij ligji është në përputhje me respektimin e kompensimit total fizik dhe monetar me vlerë tregu të të gjithë pronarëve, dhe ky është qëndrimi i palëkundur i yni. Tani Partia Repulikane mendon të abrogohet ligji, por kjo është një çështje që e ka bërë këtë parti ta vlerësojnë më shumë", tha Berisha.

Deklarata

Berisha, vetëm pak ditë më parë, gjatë prezantimit të strategjisë së PD-së, për zhvillimin e bujqësisë, tha se "PD-ja nuk ndryshon ligjin 7501, ky është një deklarim solemn". Një deklaratë e tillë, që bie ndesh me programin elektoral të PR-së, dhe ka zgjuar reagimin e këtyre të fundit. Republikanët, dje, kanë kërcënuar me dalje nga koalicioni, në rast se Berisha dhe krerët e tjerë të PD-së nuk shpjegojnë se si do të jetë formula e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve. Prishja e koalicionit mes PD-së dhe PR-së vetëm pak muaj para zgjedhjeve do të ishte një kosto jo e vogël për të dyja partitë. Duket se kreut demokrat, Berisha, për hir të mbajtjes së koalicionit, duhet të qetësojë republikanët e irrituar dhe më pas të mendojë për aleanca të tjera, me qëllim formimin e një koalicioni. Nga ana tjetër, deklarata për mosabrogimin e ligjit 7501 nuk është pritur mirë dhe nga një pjesë e anëtarësisë së PD-së, të cilët mendojnë se një deklaratë e tillë ka qenë disi e nxituar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›