E Hënë, 2 Nëntor 2026

Beja: Jo LZHK dhe LSI në numërimin e votave

06/01/2005  Partia Demokratike, pas firmosjes së protokoll-marrëveshjes për ndarjen e re zonale, është pozicionuar kundër pjesëmarrjes së LZHK-së dhe LSI-së në Komisionet e

numërimit të votave. Sekretari për Burimet Njerëzore në PD, Fatos Beja, duke folur për prioritetet e kodit të ri zgjedhor, tha se ai lë hapësira për pjesëmarrje në këto komisione dhe të katër partive të tjera, veç dy partive më të mëdha në vend, PS-së dhe PD-së. "Nga përmirësimet që kanë bërë në kod, lihet hapësira e pjesëmarrjes së partive të tjera përveç dy partive të mëdha në komisionet zgjedhore në të gjithë nivelet. Përveç PS-së dhe PD-së ka dhe katër parti të tjera, dy nga opozita dhe dy nga mazhoranca, në të gjithë komisionet. Kjo është hapja e harkut të partive, që është pozitive dhe reduktohet numri i anëtarëve të PS dhe PD në komisione", tha Beja. Sipas demokratëve, në këtë mënyrë rritet transparenca për zgjedhjet dhe vendoset ekuilibri mes palëve në qendrat e votimit. "Ka një transparencë më të madhe në numërimin e votave. Çdo parti ka të drejtë të ketë vëzhgues dhe unë besoj që interesi i të gjitha palëve do të mbrohet", tha Beja.

Dyshimet

Pavarësisht se po shihet një përshpejtim për implementimin e protokoll-marrëveshjes së nënshkruar më 30 dhjetor, sërish demokratët janë të mendimit se ka një zvarritje të përgatitjes së procesit. "Unë besoj që jemi me vonesë dhe ka një zgjatje të përgatitjes së tij. Do të ishte mirë që listat të ishin përfunduar një vit më parë. Gjithsesi, nëse nga mazhoranca do të shfaqet vullneti pozitiv për të zbatuar kërkesat e kodit dhe realizimin e marrëveshjeve, nuk ka vend për panik. Koha është e mjaftueshme nëse ka vullnet. Ne jemi të interesuar që zgjedhjet të zhvillohen siç bihet dakord në kod dhe në marrëveshje të shkruara", tha Beja. Një pikë e nxehtë për implementimin e protokoll-marrëveshjes është ndarja zonale, e cila duhet të përfundojë brenda muajit shkurt. Për demokratët, koha për përmirësimin e saj është mëse e mjaftueshme në rast se për miratimin e saj zbatohet kodi i ri zgjedhor. "Komisioni i ndarjes së zonave është një komision që e njeh shumë mirë situatën dhe nëse ka vullnet çdo gjë është e arritshme pa asnjë lloj problemi", tha Beja. Nga ana tjetër demokratët shprehen se do të jenë të gatshëm që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes, si në miratimin e Kodit Zgjedhor ashtu dhe në përmirësimet që do t'i bëhen hartës së re zgjedhore. Beja tha se në takimet e ardhshme me përfaqësues të maxhorancës dhe OSBE-së, PD do të këmbëngulë veçanërisht në përmirësimet që duhet t'i bëhen ndarjes zgjedhore. "Kjo bëhet me qëllim që të mos ketë më deputetë fiktivë, që dalin nga fiktiviteti i listave të deformuara me qëllime elektorale dhe kjo është një kërkesë jo thjesht e një partie të caktuar, jo thjesht e PD, por është një kërkesë që zgjedhjet në Shqipërinë të jenë të standardeve perëndimore", tha Beja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›