E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ranieri: Reali nuk fiton titullin

06/01/2005  

Tekniku i Valencias, Klaudio Ranieri, është i kënaqur me pjesën e parë të sezonit të Valencias: “Ka qenë në përgjithësi pozitive, megjithëse nuk e kemi filluar mirë. E kemi mbyllur në mënyrën më të mirë dhe tani e rëndësishme për ne, është të vazhdojmë në këtë rrugë”. Por, ka ardhur faza e dytë dhe Valencia, pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, duhet të japë maksimumin në ndeshjet e kampionatit: “Të gjitha forcat do t`i përqëndrojmë në kampionat. Do ta ndjekim deri në fund Barcelonën, edhe pse të jem i sinqertë, do të jetë shumë e vështirë të rekuperojmë pikë. Jam i bindur se, mund të vazhdojmë të luajmë në nivele të larta, edhe për shumë kohë”. Trajneri italian nuk ka frikë nga Real Madrid dhe flet për teknikun e ri madrilen, Vanderlei Luksemburg: “Nuk është e nevojshme të fshehësh, por Real Madridi nuk është pretendent për fitimin e titullit këtë sezon. Madrilenët, këtë sezon nuk kanë demonstruar nivel konstant loje dhe kanë pësuar shumë gola, që është fatale, për një skuadër të madhe. Nuk mendoj se, Luksemburgo do të ndikojë në përmirësimin e rezultateve të Realit. E njoh mjaft mirë Vanderlei, madje e kam ndjekur edhe kur drejtonte Santos, por te Reali është shumë e vështirë. Mendoj se bëhet fjalë për një cikël të mbaruar, që duhet rinovuar në fund të këtij sezoni”. Ranieri zbulon objektivat e Valencias: “Ishte shumë e rëndësishme të vazhdonim më tej në Ligën e Kampioneve, por tashmë kemi dështuar dhe duhet të mendojmë vetëm për kampionatin. Objektivi ynë tashmë, është vendi i dytë në kampionat, që do të thotë kualifikim direkt, për sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve“.

Trajneri analizon edhe kampionatet e tjera evropiane: “Kam ndjekur shumë ndeshje të Çelsit dhe për mua nuk ka dyshim që ata do të fitojnë kampionatin. Mançesteri dhe Arsenali kanë diçka më pak se “blutë”. Ndërsa në Itali, do të jetë një luftë e vërtetë deri në fund, midis Juventusit dhe Milanit. Bardhezinjtë janë një skuadër më solide, por kuqezinjtë kanë treguar se janë të aftë për përmbysje të mëdha. Në Gjermani zgjedh vetëm Bajernin e Mynihut. Këtë vit skuadra bavareze është superiore...”- ka përfunduar Klaudio Ranieri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›