E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vegjlit garantojnë grupet parlamentare

06/01/2005  Partitë parlamentare, që nuk kanë një grup të tyre, kanë arritur të garantojnë ekzistencën e tyre, pas diskutimeve me dy partitë e mëdha. Kështu, PS do të vazhdojë të ndihmojë të Gjelbrit, e drejtuar nga Lufter Xhuveli dhe PSD-në, e drejtuar nga Skënder Gjinushi. Ndërsa PD do të ndihmojë PR-në, e drejtuar nga Fatmir Mediu, Aleancën për Demokraci, të drejtuar nga Arben Imami dhe Liberaldemokratët, të drejtuar nga Teodor Laço. Nga ana tjetër, LZHK ka premtuar se do të arrijë në 8 anëtarë të deklaruar, kurse LSI do të qëndrojë në kufijtë e 9 anëtarëve. Po kështu, e paprekur do të qëndrojë dhe PDR, e drejtuar nga Nard Ndoka, me 5 deputetë. Gjithsesi deri në deklarimin përfundimtar të formularëve të shpërndarë prej kreut të parlamentit do të vijojnë bisedimet mes partive të mëdha dhe të vegjëlve. Por sipas deklaratave të dhëna, nuk pritet të ketë një ndryshim të madh në formulimin e Grupeve parlamentare, pasi kjo është legjislatura e fundit e mandatit të deputetëve, për t'ia dhënë radhën Kuvendit, që do të dalë pas zgjedhjeve të vitit 2005. Këtë radhë partitë e vogla do të detyrohen të garantojnë 7 deputetë, nga 5 që ka qenë minimumi për deklarimin e një grupi parlamentar. Për të shkëputur varësinë nga partitë e mëdha, të vegjlit janë shprehur se do të bashkohen me njëri-tjetrin dhe nuk do të kërkojnë borxh nga të mëdhenjtë. Ndërsa në mbrojtje të tyre është dhe fakti se deputeti që largohet nga një grup parlamentar për gjashtë muaj nuk ka të drejtën për t'u bashkuar me një tejtër. Në këtë mënyrë deputeti i larguar do të deklarohet i pavarur, duke humbur të mirat materiale që lindin nga të qenit anëtar në një grup parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›