E Diel, 1 Nëntor 2026

Përzgjidhen 4 emrat e PD për degën e Tiranës

06/01/2005  Gara e kandidaturave për kryetarin e PD-së së Tiranës, sa vjen e ashpërsohet më shumë me afrimin e punimeve të konferencës së degës. Burime nga Partia Demokratike thanë për "Metropol" se është arritur në përzgjedhjen e katër emrave, që kryesojnë listën e konkurrentëve, të cilët do t'i dërgohen Kryesisë qendrore për t'ia deleguar më pas konferencës, e cila do të votojë për fituesin. Sokol Olldashi, Bujar Nishani, Bamir Topi dhe Spartak Ngjela, janë më të votuarit nga anëtarët e 600 seksioneve të kryeqytetit për kreun e PD-së së Tiranës, duke lënë prapa emrat e Besnik Mustafajt, Omer Stringës, Aleksandër Biberajt, Fatos Bejës etj. Gjithsesi, sipas të njëjtit burim, gara mbetet sërish e hapur, pasi akoma nuk janë zhvilluar konferencat e nëndegëve, në të cilat mund të ketë një përmbysje të renditjes, që mbetet provizore.

Kryesia

Kandidatët për kryetarin e PD-së së Tiranës duhet të kalojnë provën e besimit që duhet t'u japë Kryesia, përpara se të shkojnë në konferencë, ku do të bëhet dhe votimi. Në bazë të statutit, Kryesia e PD-së mund ta përmbysë listën e kandidatëve dhe të çojë për votim në konferencë kandidatura të tjera, që mund të kenë qenë më pak të votuara nga seksionet apo nëndegët. Sipas burimeve në PD, përzgjedhja bëhet dhe në bazë të aftësive organizative e komunikuese të kandidatit, dy cilësi bazë, që janë cilësuar të domosdoshëm për postin e kryetarit të PD-së Tiranë. Duket se përzgjedhja e kryetarit të kësaj dege pak muaj para zgjedhjeve dhe pak ditë para Kongresit të PD-së, duhet t'i nënshtrohet një disipline përzgjedhëse, e cila fillon që nga baza dhe përfundon në Kryesi.

Konkurrenca

Vetëm Tirana ka 11 zona elektorale dhe pesha e saj në proporcional është thuajse sa një e katërta e të gjithë votuesve në shkallë vendi. Duke pasur parasysh këtë fakt, duhet që dega e PD-së së Tiranës të jetë nga më të organizuarat dhe në këtë organizim kryetari ka peshën kryesore. Gjithsesi, përzgjedhja e kandidaturave pritet të shoqërohet me debate dhe në Kryesinë e Partisë Demokratike, pasi anëtarët e saj kanë emrat e tyre të preferuar, qofshin këta në listën e ardhur nga nëndegët ose jo. Gjatë një interviste të para disa kohëve, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Spartak Ngjela, e vlerësoi postin e kryetarit të PD-së, si post shumë të lartë politik, që vendoset nga Kryesia qendrore, duke lënë të kuptohet se lista e kandidatëve mund të ndryshohet në bazë të asaj që do diskutohet në mbledhjen këtij forumi, por pa përjashtuar dhe sygjerimet që vijnë nga baza.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›