E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Më 1 gusht tekstet shkollore në treg

Tekstet shkollore për këtë vit mësimor do të jenë gati më 1 gusht në të gjitha libraritë që kanë kontrata me Ministrinë e Arsimit dhe shkollat. Ka qenë vetë ministri i Arsimit, Fatos Beja, ai që ka dhënë dje lajmin për të gjithë të interesuarit. Në një dalje publike, kreu aktual i Arsimit u shpreh se rreth 544 tituj tekstesh për arsimin parauniversitar do të jenë në treg javën e ardhshme. Ndërkohë që, sipas Bejës, skema e shpërndarjes së librave shkollorë do të jetë si një vit më parë.

Kjo skemë për ministrin Beja do të shmangë radhët e gjata të pritjeve pranë librarive dhe abuzimet me çmimet.

"Shpërndarja është organizuar sipas një skeme produktive, ku do të lidhen shkollat me libraritë përkatëse pranë tyre, në mënyrë që prindërit të mos presin në librari për të marrë tekstet. Kjo bën që edhe sivjet çdo prind do të gjejë në shkollë listën e teksteve që do t‘i duhet çdo fëmije në çdo vit të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm", tha Beja.

Risia e këtij viti, ashtu sikundër ishte premtuar pak kohë më parë, është që nxënësit do të kenë edhe tekste që përdoren nga vende të Europës. Por drejtuesi i Ministrisë së Arsimit ka bërë të ditur se çmimi i tyre do të jetë shumë i ulët krahasuar me atë që varion në tregjet europiane.

"Këto janë tekste europiane, të BE-së, janë tekste 10 herë më të shtrenjta në ato vende. Janë tekste që variojnë nga 20, 25, 30 euro. Në Shqipëri ne arritëm në sajë të bashkëpunimit të frytshëm në dy euro", theksoi Beja në qëndrimin e tij.

Më tej, ai ka sqaruar se skema e subvencionit të teksteve nga qeveria do të jetë e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Pra të gjithë prindërit do të kompensohen në masën 50 për qind.

Skema e kompensimit të teksteve shkollore është ajo që krijon edhe polemikat më të mëdha në këtë proces. Kjo, për faktin se marrja e parave nga prindërit pas blerjes së librave të shkollës për fëmijët e tyre bëhet më shumë zakonisht në përfundim të vitit arsimor.

Një vit më parë, në dyert e shkollave të sistemit parauniversitar u afishuan listat me titujt e teksteve shkollore të përzgjedhura nga çdo institucion arsimor. Kjo për shkak të teksteve alternative që qarkullojnë në treg. Ndaj prindërit dhe nxënësit duhet të tregohen të kujdesshëm në blerjen e teksteve dhe t‘u përmbahen këtyre listave, që tashmë pritet të afishohen në shkolla në vende të dukshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›