E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, numri i të dyshuarve arrin në 13

Shkon në 13 numri i personave të dyshuar si të prekur nga virusi i gripit të derrit A(H1N1). Instituti i Shëndetit Publik, përmes një buletini të përditësuar mbi situatën epidemiologjike të këtij gripi, sqaron opinionin se të dyshuarit jo vetëm e kanë zgjeruar numrin, por edhe kanë shtrirë hartën e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Analizat paraprake të këtyre personave të dyshuar për A(H1N1) të kryera pranë laboratorit të virologjisë në ISHP, kanë rezultuar me gripin A, por konfirmimi zyrtar do të vijë nga laboratori i referencës në Rumani.

ISHP-ja në informacionet e saja bën të ditur se nga 13 të dyshuarit, tetë raste kanë shfaqur shenja të sëmundjes, pas udhëtimeve që kanë kryer jashtë vendit, ndërkohë që nga këta pacientë, një është nga Vlora, një nga Saranda dhe një nga Lushnja.

Tashmë pritet të bëhen publike edhe përgjigjet e analizave për 5 të dyshuarit që për ekzaminim më të hollësishëm u dërguan në laboratorin e referencës në Rumani.

Për rastet e konfirmuara si të prekur nga gripi i derrit, por edhe për të dyshuarit, që deri tani kanë rezultuar me gripin A, autoritetet shëndetësore pohojnë se të gjithë kanë paraqitur një kuadër klinik të lehtë. Ata kanë shfaqur temperaturë rreth 38 gradë, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulare dhe lodhje. Vetëm për dy nga rastet e dyshuara u gjykua shtrimi në spital dhe për një rast u fillua trajtimi me tamiflu. Të gjitha rastet e tjera mësohet se nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital. Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë. 13 rastet që dyshohen se mund të jenë prekur nga ky virus gripi u përkasin grupmoshave 16-61 vjeç, ku predominon mosha nga 15-44 vjeç. Ndërkohë që deri tani nuk është evidentuar asnjë rast në moshat pediatrie, pra mes fëmijëve. Gjithashtu në situatën aktuale që po përjeton Shqipëria nga paniku global i gripit të derrit fatmirësisht nuk është raportuar asnjë vdekje.

Deri tani në vend janë marrë 239 mostra për analiza për virusin A (H1N1), nga të cilat 111 janë marrë nga spitali infektiv në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 52 në spitalin pediatrik, si edhe nga spitalet në Vlorë, Durrës, Fier, Devoll, Sarandë, Shkodër etj. Numri më i madh i mostrave është marrë në pacientë të moshës 15-61 vjeç. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë.

ISHP-ja shpjegon se të gjitha rastet e mundshme të identifikuara me virusin e gripit A trajtohen njësoj si A(H1N1) nga pikëpamja e ndjekjes dhe kontrollit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›