E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Po vonohet zbatimi i rekomandimeve

08/01/2005  Deputeti i PD-së, Fatos Beja, tha dje se vonesat dhe zvarritjet në zbatimin e disa pjesëve të procesit të reformës zgjedhore, rrezikojnë të mos përfundojnë brenda afatit kushtetues të parashikuar me ligj. "Në punën që është bërë për ndryshimin e kodit zgjedhor dhe marrëveshjet që janë arritur për të bërë ndryshime në nene të caktuara të kodit, është marrë gjithmonë parasysh fakti që mandati i parlamentit mbaron më tre shtator dhe gjashtë muaj para i bie data tre mars. Të gjitha detyrat që vihen në ndryshimet e neneve të kodit kërkojnë një kohë për t'u realizuar, ndaj shtyrja pas marsit është e rrezikshme", tha Beja. Sipas tij, zvarritje po vihen re në në ndarjen e zonave zgjedhore dhe në hartimin e listave të zgjedhësve. Nga ana tjetër, Beja tha se edhe komuniteti ndërkombëtar ka shfaqur shqetësimin për vonesat e vëna re nga ligjvënësit shqiptarë. "Mendimi im është që ne jemi me vonesë në të gjitha linjat dhe unë mund të them që edhe BE ka shprehur shqetësimin për vonesat dhe shtyrjet. Zvarritja nuk është e pëlqyeshme, por janë disa pjesë të procesit që duan patjetër kohën e tyre. Kështu që idera voluntariste për ta prurë dhe për ta lëvizur datën sipas kritereve të tjera, jashtë këtyre kërkesave të realizimit të standardeve ndërkombëtare, ekzekutimi i të gjitha këtyre standardeve, realizimi i tyre në ligj, ekzekutimi i tyre, janë të gjitha të domosdoshme", tha Beja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›