E Hënë, 2 Nëntor 2026

Benitez: Kemi nevojë për Anelka

08/01/2005  

Klubi i Liverpulit është duke shënjestruar një sulmues, i cili pritet të jetë aktivist i rregullt në Premier Ligë. Hipoteza e Fernando Morientes, është rrëzuar menjëherë, pasi Real Madridi e ka përjashtuar ofertën paraprake të 7 milionë stërlinave, për sulmuesin spanjoll. Madje, edhe trajneri brazilian i madrilenëve, Vanderlei Luksemburgo, ka hedhur poshtë largimin e Morientes. Rafa Benitez, sigurisht nuk kërkon të rrisë më shumë, ofertën për sulmuesin spanjoll. Në këtë mënyrë, për t’i shtuar më shumë vlerat e kësaj skuadre në Ligën e Kampioneve, që do të ngrejë siparin e saj në muajin shkurt, trajneri Rafa Benitez, ka regjistruar emrin e Nikolas Anelka. Sipas trajnerit spanjoll, sulmuesi francez do të ishte lojtari më i përshtatshëm për Liverpulin dhe prandaj, ka sugjeruar drejtuesit e klubit, për t’i bërë një ofertë Mançester Sitit. Nga ana tjetër, trajneri i Mançester Sitit, Kevin Kigan, ka bërë të ditur në javën e kaluar se, për të shitur Anelka, do të mjaftonte vetëm një “ofertë e majme”. Francezi e ka provuar të aktivizohet me Liverpulin, në formën e huasë, gjatë sezonit 2001/2002, në kohën, kur trajner ishte Zherard Hulier. Po ashtu, edhe vetë kapiteni i të kuqve, Stiven Zherard, ka deklaruar se një sulmues si Anelka, do të ishte i mirëpritur në skuadrën e tij. “Reali na ka përfolur, lidhur me një shifër të majme parash, por ne nuk kemi se përse të lëkundemi nga çmimi ynë i mëparshëm, ka komentuar Benitez. Prandaj, ne nuk do të heqim dorë nga linja që kemi ndjekur edhe më parë. Pjesa më e madhe e lojtarëve që jemi duke kërkuar, kanë një vlerë të lartë dhe ne sigurisht nuk duam të shpenzojmë më shumë se ç’kemi menduar. Tashmë jemi duke ndjekur alternativa të tjera më të rëndësishme. Ajo më kryesore është në Angli, sepse lojtarë të tillë e dinë fare mirë se çfarë niveli loje zhvillojmë ne si skuadër. Gjithçka mund të them për Nikolas Anelka, është se ai do të mbetet një lojtar shumë i përgatitur. Më shumë se kaq, nuk dua të them”. Ndonëse Liverpuli është pozicionuar në vendin e pestë të renditjes në Premier Ligë, problemet me sulmin ka qenë nga më të ndryshmet. Dy sulmuesit kryesorë të kësaj skuadre, si francezi Djibril Sise dhe çeku Milan Barosh, janë duke vuajtur nga dëmtimet e pësuara prej javësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›