E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupat ushtarake të jenë në dispozicion të OKB për Azinë

08/01/2005  Anëtari i Komisionit të Mbrojtjes, Neritan Alibali, i ka kërkuar dje ministrit Pandeli Majko që të vërë në dispozicion të OKB-së trupat shqiptare, për të ndihmuar në përballimin e situatës së krijuar në Azi, si pasojë e tërmetit detar. Sipas Alibalit, një veprim i tillë do të ketë ndikim të dyfishtë. Ndërsa do të jetë Organizata e Kombeve të Bashkuara që do të vendosë nëse nevojiten trupat shqiptare në Azi apo jo. Sipas tij, dërgimi i trupave shqiptare në këtë zonë është e rëndësishme jo vetëm sepse do të ndihmojë në situatën e krijuar atje, por do të krijojë mundësinë që trupat ushtarake të marrin eksperiencë në situata të tilla. Këtë kërkesë anëtari i Komisionit të Mbrojtjes, njëkohësisht dhe nënkryetar i PR-së, Neritan Alibali, e ka mbështetur në një deklaratë të Kofi Annan, i cili është shprehur se do të ishte më mirë që vendet t'i ofrojnë OKB-së ndihma në trupa dhe me financime. Në prononcimin e dhënë për mediat, Alibali tha se kërkesën ia ka paraqitur ministrit Majko, për të marrë më pas dhe një vendim prej qeverisë shqiptare. Alibali ka vlerësuar se vënia e trupave ushtarake në dispozicion të OKB-së si dhe iniciativat për ndihma ushtarake sjellin vetëm paraqitjen e mirë të Shqipërisë në arenën botërore, dhe nuk ndesh në pasoja negative. Duke e vlerësuar situatën në Azinë Juglindore si tepër tragjike, Alibali tha se Shqipëria duhet të vërë në dispozicion të organizatës që po koordinojnë punën në këtë vend të gjitha kapacitetet e mundshme. Ndërsa lidhur me iniciativën, ai tha se është shtyrë prej tragjedisë së pakrahasueshme të krijuar si pasojë e tërmetit nënujor, Tsunami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›