Mimi Kodheli emërohet prefekte e Tiranës
08/01/2005 Fillon rotacioni në strukturat e larta të stafit të Kryeministrisë. Dje me vendim Këshillit të Ministrave është liruar nga detyra e prefektit të Qarkut të Tiranës, Besnik Dervishi dhe në vend të tij është emëruar Mimi Kodheli, që deri dje mbante detyrën e nënkryetares së Bashkisë Tiranë. Kodheli duket se është pranuar me konsensus nga Këshilli i Ministrave për të zëvendësuar Dervishin, i cili më parë ka mbajtur dhe poste ministrore. Ish-ministri i Turizmit, sipas burimeve, në Kryeministri duket se do të jetë pjesë e strukturës së Këshillit të Ministarve, në postin e këshilltarit juridik pranë Kryeministrit. Ndërkohë, Zamira Çaka, këshilltarja aktuale juridike, duket se do të emërohet sekretare e Përgjithshme në Kryeministri pas dorëheqjes së Ksenofon Kristafit nga ky post. Ky i fundit është votuar në parlament në detyrën e mbikëqyrësit në Bankën e Shqipërisë. Në votimin në Kuvend, Krisafi ka marrë dhe disa vota të opozitës. Ngritja në detyrë e Kodhelit bëhet pas një punë disa vjeçare në Bashkinë më të madhe të vendit. Lëvizja më e fundit e Nanos do të sjellë dhe lëvizje në stafin e Edi Ramës, i cili do të vendosë për emrin që do të mbajë detyrën e nënkryetares së Bashkisë, pas largimit të Kodhelit. Ndërkohë që nga ana tjetër duket se Nano ka kërkuar të ketë pranë Besnik Dervishin, i cili, dhe pse ka qenë në postin e ministrit, nuk ka preferuar që të marrë teserën e Partisë Socialiste. Me vendimin e marrë dje duket se ka përfunduar rifreskimi i stafit të Kryeministrit, që ka nisur me dorëheqjen e Ylli Manjanit, gati 8 muaj më parë nga posti i sekretarit të Përgjithshëm.