Shkodër, aksident, gjen vdekjen 22 vjeçari

Një 22 vjeçar nga Shkodra gjeti vdekjen në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, pasi motori me të cilin ai udhëtonte u përplas me dy automjete, ndërsa një shok i tij që udhëtonte bashkë me të ndodhet në gjendje kritike për jetën. Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur "Kthesa e Beltojës". Burime zyrtare të policisë lokale thanë se 22 vjeçari Elter Karabeci drejtonte një motoçiketë suzuku një mijë kubikëshe, kur u përplas me dy automjete të tjera, ndërkohë që shoku i tij 23 vjeçari, Rrezar Dini ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës. Sipas burimeve shkak i aksidentit mendohet të jetë shpejtësia e madhe, tej normave të lejuara e mjeteve të përfshira në këtë aksident. Ekspertët e policisë rrugore po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.