Në Tiranë ; Pesë të arrestuar për vjedhje në 24 orët e fundit
Pesë persona janë arrestuar nga policia e kryeqytetit pas një aksioni të ndërmarrë në 24 orët e fundit. Lajmi është bërë i ditur dje ngatë dhëna zyrtare të policisë, sipas të cilave, mbrëmjen e së martës, Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, realizoi kapjen e Sherbet Tresa, 36 vjeç, me banim në Shkozë. Sipas policisë, ndaj tij gjykata me një vendim të datës 30 dhjetor të vitit 2007, e ka dënuar në mungesë me 5 muaj burg, për veprën penale të “Vjedhjes së mbetur në tentativë”. Ndërkohë, po nga ky sektor u arrit të kapet një tjetër të kërkuari, Pajtim Zenun Bezati, 41 vjeç, me banim në Tiranë. Për të mësohet se Gjykata e Apelit Tiranë me vendim të datës 11 qershor të këtij viti ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit, duke e dënuar këtë shtetas me 1 vit burg, sepse akuzohet për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe të “Falsifikimit të formularëve”. Po kështu, nga Komisariati i Policisë Kavajë, u arrestuan me akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim”, Lulëzim Dervishi, 24 vjeç, Flamur Nallbani, 38 vjeç, ndërsa u bë ndalimi dhe i Ervin Beut, 24 vjeç, të tre nga Kavaja, pasi dy ditë më parë ndaj tij është depozituar një kallëzim, se dyshohet të jetë autor i vjedhjes së një magazine me hekurishte, në bashkëpunim edhe me dy shtetasit e sipërcituar.