E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja u bën thirrje studentëve të aplikojnë për kartat pranë universiteteve

Ministri i Arsimit: Të gjithë profesorët me pension suplementar
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, gjatë një konference për shtyp u bëri sërish thirrje studentëve, që të aplikojnë për kartat e reja të identitetit.I ftoj sërish të gjithë studentët, të cilët nuk kanë një pasaportë për jashtë shtetit, të përfitojnë nga mundësia që të shkojnë pranë fakulteteve në të cilët studiojnë dhe të paguajnë vetëm 200 lekë për të marrë kuponin për kartën e identitetit, u shpreh ministri Beja. Sipas tij, studentët duhet të ushtrojnë detyrën e tyre të qytetarit, duke pasur një kartë identifikimi, që është e domosdoshme për çdo qytetar të  gjitha vendeve evropiane. Kjo do të ishte njëkohësisht është edhe një kontribut individual që si qytetarë të shkojmë të gjithë në zgjedhje, tha ministri Beja. Gjithashtu, ministri i Arsimit dhe Shkencës, bëri të ditur se për personelin akademik me titullin shkencor Profesor dhe Profesor i Asociuar ose Drejtues Kërkimesh dhe Mjeshtër Kërkimesh, qeveria ka vendosur që të gjithë të marrin një pension suplementar, në një masë të konsiderueshme. Ky është një vendim i shumëpritur nga profesorati, të cilët me dekada u kanë dhënë mësim të gjithëve, brezave të ndryshëm shqiptarësh, të cilët janë në prag të pensionit, ose përfitojnë ndërkohë që janë në pension. Të gjithë profesorët kanë të drejtë të përfitojnë një pension shtetëror suplementar, qoftë ata të cilët nuk kanë mundur të japin një kontribut suplementar, aq më tepër ata të cilët janë në funksion sot dhe do të kontribuojnë dhe në të ardhmen me një përqindje, siç veprohet me të gjitha rastet e pensioneve suplementare, tha ministri, sipas të cilit pensioni suplementar mund të shkojë deri në katër herë të pensionit bazë të pleqërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›